Përmbytjet, Meta bën thirrje: Shteti të ngrihet në këmbë

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për situatën e krijuar në vend pas reshjeve intensive prej disa ditësh.

Marketing

Sipas tij është papërgjegjshmëri ekstreme dhe e dënueshme ligjërisht, që alarmi i Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit mbi rrezikun e përmbytjeve në vend, me pasoja tepër të rënda, nuk po merret seriozisht nga institucionet shtetërore.

Më tej, Meta thotë se jeta e qytetarëve ndodhet në rrezik, ndërsa asnjë zyrtar i lartë shtetëror nuk ka komunikuar zyrtarisht me qytetarët për t’i informuar mbi masat e marra për përballimin e kësaj situate të vështirë.

Statusi i plotë

SHTETI TË NGRIHET NË KËMBË PËR TË GARANTUAR SIGURINË E JETËS DHE TË PRONËS!

Është papërgjegjshmëri ekstreme dhe e dënueshme ligjërisht, që alarmi i Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit mbi rrezikun e përmbytjeve në vend, me pasoja tepër të rënda, nuk po merret seriozisht nga institucionet shtetërore, duke vënë në rrezik jetën, shëndetin dhe pronat e mijëra qytetarëve në mbarë vendin, qartësisht të braktisur në mëshirë të fatit.

Ende sot, asnjë zyrtar i lartë shtetëror nuk ka komunikuar zyrtarisht me popullatën për t’a informuar mbi masat e marra për përballimin e kësaj situate të vështirë.

Qytetarët meritojnë të informohen me transparencë dhe këtij detyrimi kushtetuese nuk mund t’i shmanget askush!

Sipas të dhënave nga terreni, me qindra hektarë tokë rezultojnë të përmbytura në Qarqet Tiranë, Shkodër, Lezhë, Krujë, Fier, Gjirokastër e Sarandë, dhe vetëm në Durrës, raportohen nga autoritetet mbi 410 hektar tokë nën ujë.

Probleme serioze mësohet të ketë veçanërisht në Shkodër, Lezhë, por dhe në Vlorë, ku për orë të tëra disa segmente të rëndësishme rrugore, edhe lagje brenda qyteteve, kanë qenë nën pushtetin e ujit, duke nxjerrë në pah abuzimet korruptive, të reflektuara në cilësinë e dobët të investimeve, kryesisht në rrjetet kulluese.

Problematika të mëdha janë konstatuar lidhur me mospastrimin e kanaleve kulluese të Ujrave të Larta, si dhe mosvënia në punë me kapacitet të plotë, të të gjithë hidrovorëve.

Në akset kryesore rrugore, raportohen rrëshqitje dherash, ndërkohë që prezenca e kompanive me detyrime kontraktore me Autoritetin Rrugor Shqiptar, lë për të dëshiruar.

Në Veri të vendit, si rezultat i rreshjeve të dëborës, janë bllokuar disa segmente rrugore, si Bog-Theth dhe ajo e Malit të Shoshit, ku trashësia e deborës kalon mbi 120 cm dhe ku nuk garantohet kalueshmëria dhe qarkullimi normal i mjeteve dhe njerëzve. Asnjë masë në ndihmë të banorët të këtyre zonave, tashmë të bllokuara, nuk është marrë paraprakisht.

Në kushtet, kur sipas të gjitha parashikimeve, situata pritet të përkeqësohet, i kërkoj me forcë Qeverisë, ministrive përgjegjëse, Prefekturave dhe Bashkive, të marrin menjëherë dhe pa vonesa të justifikuara, të gjitha masat e duhura për të garantuar mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe pronave të qytetarëve.

U kujtoj ministrive, që kanë detyrime kushtetuese dhe ligjore për Mbrojtjen Civile, sipas fushave të përgjegjësive, të dëshmojnë përgjegjshmëri dhe angazhim konkret në këtë drejtim.

U bëj thirrje Prefektëve dhe Kryetarëve të Bashkive në zonat me rrezik të shtuar, të mbledhin menjëherë Komisionet e Mbrojtjes Civile dhe të angazhojnë në terren të gjitha strukturat operacionale për minimizimin e pasojave të përmbytjeve.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, në këtë situatë, duhet të jetë më kërkues ndaj kompanive që kanë detyrime për mirëmbajtjen dhe mirëfunksionimin e akseve rrugore.

Të gjitha strukturave shtetërore të ngarkuara me përgjegjësi për menaxhimin e situatës duhet të veprojnë pa zvarritje.

I kërkoj publikisht Prokurorisë të jetë e vëmendshme për çdo raste të shpërdorimit të detyrës nga funksionarët publikë.

Jeta, shëndeti dhe pronat e qytetarëve, duke patur në konsideratë edhe pasojat e rënda të pandemisë COVID-19, duhet të jenë prioritet absolut.