Itali: Nis gjyqi më i madh kundër mafias në dekada

Qindra anëtarë të dyshuar të grupit mafioz më të fuqishëm të Italisë po përballen me drejtësinë.

Marketing

Gjykimi i 355 anëtarëve të dyshuar të rrjetit të gjerë të krimit Ndrangheta, si dhe politikanëve, avokatëve, biznesmenëve dhe të tjerëve të akuzuar filloi në rajonin jugor të Kalabrisë më 13 janar.

Ky konsiderohet të jetë procesi gjyqësor më i madhi për krim të organizuar në Itali pas më shumë se 30 vjetësh. Të dyshuarit po përballen me akuza duke përfshirë vrasje, trafik droge, zhvatje dhe pastrim parash.

Më shumë se 900 dëshmitarë pritet të paraqiten në gjykim, i cili po zhvillohet në një ndërtesë të sigurisë së lartë në qytetin e Lamezia Terme, e cila është në zemër të territorit ku vepron “Ndrangheta”.

Prokurori, Nicola Gratteri, u tha gazetarëve se gjyqi do të “zbulonte një pasqyrë se çfarë është mafia kalabreze sot – jo më një mafi barinjsh që rrëmbejnë, por një korporatë e madhe kriminale”.

“Ndrangheta” thuhet se është mafia më e fuqishme në Itali, me celulat e saj të shpërndara në të gjithë botën. Asnjë gjyq i një shkalle të tillë kundër mafias nuk është mbajtur në Itali që nga vitet 1980. I pandehuri i profilit më të lartë është shefi i klanit, 66-vjeçari Luigi Mancuso.

Gjyqi, që pritet të zgjasë të paktën një vit, përqendrohet në familjen Mancuso, e cila përbën një grup të fuqishëm brenda klanit “Ndrangheta”.

Shumica e të pandehurve u arrestuan gjatë bastisjeve në Itali, Gjermani, Zvicër dhe Bullgari në dhjetor të vitit 2019. Autoritetet vlerësojnë klani ka të paktën 6.000 anëtarë dhe bashkëpunëtorë vetëm në rajonin e Kalabrisë. Grupi i krimit të organizuar gjeneron të ardhura më shumë se 50 miliardë euro në vit, sipas prokurorit Gratteri.