Dy autoambulanca të donuara nga Komuna e Çairit, nga sot do të përforcojnë kapacitetet e intervenimeve të Shtëpisë së Shëndetit -Shkup
Bashkë me kryetarin e këshillit të komunës z. Zahir Bekteshi mirëpritëm ministrin e shëndetësisë z. Venko Filipçe, zëvendës ministrin z. Ilir Hasani dhe drejtorin për çështje ekonomike të Shtëpisë së Shëndetit Shkup z. Besim Koka për të dhënë donacion dy autoambulanca edhe atë: automjet patronazho – sanitetik Dacia Duster dhe autoambulancë furgon Volkswagen T5, të cilat do të jenë në dispozicion të shërbimit të ndihmës së shpejtë pranë Shtëpisë së Shëndetit -Shkup.
Ky qëllim human filloi rrugën e realizimit me miratimin e vendimit në këshillin komunal për realokimin e mjeteve që ishin dedikuar për dekorimin e territorit të komunës për festat e fundvitit në vlerë prej 1.800.000 denarë, me çka u sigurua autoambulanca e parë. Autoambulancën e dytë e siguruam përmes donatorit privat AR-DE Automobile dhe ka vlerën prej 800.000 denarë.
Me këtë rast, dëshiroj të faleminderoj këshilltarët e këshillit komunal, me të cilët i hapëm rrugën realizimit të kësaj vepre humane dhe njëzëri në mbledhjen e jashtëzakonshme miratuam vendimin që këto vetura të dhurohen sa më shpejtë dhe të vëndohen në funksion të menjëhershëm të intervenimit efikas për të shpëtuar jetën e shumë bashkëqytetarëve tanë, si dhe donatorin privat që të merr pjesë në këtë iniciativë.