Kovid 19 / Konfirmohen rastet e para të variantit britanik në Kosovë

Në Kosovë janë konfirmuar ditën e sotme 3 raste pozitive me variantin e ri britanik të COVID-19.

Marketing

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj gjatë një konference për shtyp ka thënë se disa ditë më parë IKSHPK-ja ka dërguar 35 monstra në Gjermani për analizë, nga të cilat 3 dolën pozitive me variantin britanik të koronavirusit.

“Nga 35 mostra që i kemi dërguar, 3 prej tyre kanë rezultuar pozitiv”, ka thënë Zemaj në konferencë.

Teksa gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, 342 persona dhe janë regjistruar 5 viktima.

Pacientët të cilët kanë arritur të shërohen nga virusi gjatë 24 orëve të fundit janë 235, shifër e cila është rritur ndjeshëm në krahasim me ditën e djeshme.

Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 85 raste, Prizren 41 raste, Mitrovicë 34 raste, Podujevë 30 raste, Suharekë 29 raste, Ferizaj 18 raste, Pejë 14 raste, Gjakovë 13 raste, Vushtrri 13 raste, Lipjan 11 raste, Fushë-Kosovë 10 raste, Klinë 7 raste, Skenderaj 7 raste, Shtime 6 raste, Deçan 5 raste, Drenas 5 raste, Malishevë 4 raste, Dragash 2 raste, Gjilan 2 raste, Istog 2 raste dhe me nga një rast komunat Graçanicë, Obiliq, Rahovec dhe Viti.

Rastet e vdekjes janë nga komunat: Deçan 1 rast (68 vjeç), Ferizaj 1 rast (75 vjeç), Gjilan 1 rast (64 vjeç), Mitrovicë 1 rast (69 vjeç) dhe Prishtinë 1 rast (64 vjeç).

Numri total i infektimeve nga COVID-19 ka shkuar  në 59.646 raste, ndërkohë që ai viktimave është 1.487 në të gjithë vendin që nga fillimi i pandemisë duke përfshirë edhe shifrat e ditës së sotme./