COVID-19, OBSH garon për të zhvilluar certifikatat e vaksinimit

Ndërsa vendet kanë nisur të zhvillojnë pasaportat e tyre të vaksinimit, OBSH po garon për një sistem certifikatash vaksinimi ndaj koronavirusit, që mund të përdoren në mbarë botën duke siguruar ruajtjen e standardeve.

Marketing

Kur Integrity Mchechesi vizitoi një terminal autobusi në kryeqytetin e Zimbabves, Harare, dëgjoi njerëz që thërrisnin, duke pyetur nëse dikush kishte nevojë për një certifikatë negative të testit për COVID-19.

Certifikata të tilla false të COVID-19 mund të blihen për më pak se 10 dollarë (8.20 Euro). “Afërsisht 50 dollarë më pak se një test aktual COVID në Harare”, tha Mchechesi, mjek dhe bashkëthemelues i Vaxiglobal, një sipërmarrje e re në teknologjinë shëndetësore në Zimbabve – e përqendruar në verifikimin e imunizimit.

Kur vaksina të nisë të shpërndahet në Zimbabve, Mchechesi shqetësohet se certifikatat e falsifikuara të vaksinimit do të shfaqen gjithashtu në treg.

Zimbabve është një nga vendet që punojnë për gjetjen e zgjidhjeve dixhitale për të verifikuar se kush është vaksinuar. Vende si Danimarka, Spanja dhe Greqia kanë mbështetur idenë e pasaportave të vaksinimit COVID-19 dhe OBSH-ja po punon për një certifikatë dixhitale ndërkombëtare të vaksinimit që do të krijojë një sistem me standarde për vendet që do të aderojnë në të.

Në terminalet e autobusëve në Harare, Mchechesi po kërkonte për certifikata të falsifikuara të vaksinimit. Në një studim të certifikatave të vaksinimit të etheve të verdha, Vaxiglobal zbuloi se më shumë se 80% e atyre që përdoreshin në disa terminale autobusësh në Harare ishin të falsifikuara. Është vërtet shqetësuese,” tha Mchechesi. “Ato shiten lirshëm.”

E gjithë vëmendja tek COVID-19

Tani Vaxiglobal e ka zhvendosur vëmendjen në verifikimin e certifikatave të testeve të COVID-19. Organizata po bashkëpunon me ministrinë e Shëndetësisë në Zimbabve për të dixhitalizuar rezultatet e testeve të COVID-19, me qëllim që të luftojë shitjen e certifikatave të falsifikuara.

Punonjësit e shëndetësisë fusin rezultatet e testeve PCR në një bazë të decentralizuar të dhënash në platformën e Vaxiglobal. Kur ata ngarkojnë rezultatet, gjenerohet një kod unik QR për secilin rezultat dhe i bashkëngjitet një certifikate që mund të shtypet ose ruhet në aplikacionin e Vaxiglobal. Autoritetet kufitare mund ta verifikojnë menjëherë certifikatën.

“Imagjinoni: dikush që në të vërtetë mund të jetë pozitiv dhe nuk testohet, por thjesht blen atë certifikatë false dhe zyrtarët e kufirit e marrin të mirëqenë faktin se ai është negativ. Kështu po tranmetohen rastet ndërkombëtarisht, “tha Mchechesi.

Numri i certifikatave të rreme të testeve COVID-19 nuk ka qenë aq i lartë, sepse ekziston një rregullore dhe qytetarët shqetësohen për shëndetin e tyre, por certifikatat false janë ende në treg, tha Mchechesi. “Ju mund ta imagjinoni sa tundohen njerëzit për të blerë një certifikatë me çmim aq të lirë”.

Mchechesi tha se një test PCR në Zimbabve kushton midis 45 dhe 60 dollarë, një vend ku 34% e popullsisë jetonte nën kufirin e varfërisë ekstreme prej 1.90 dollarë në ditë në 2019, sipas Bankës Botërore. Zimbabve nuk ka filluar ende të shpërndajë vaksinat e COVID-19. Kur kjo të ndodhë, Vaxiglobal planifikon të zbatojë të njëjtën teknologji për të verifikuar certifikatat e vaksinimit.

Certifikatat e vaksinimit, konform standardeve

Aktualisht, ethet e verdha janë e vetmja sëmundje e specifikuar në Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit (IHR) të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilat kërkojnë certifikata të vaksinimit për të hyrë në disa shtete. Certifikata e vaksinimit të etheve të verdha është gjithashtu prova e vetme e vaksinimit, e certifikuar sipas IHR-së.

Por, “është thjesht një letër, e lehtë për t’u falsifikuar. Çdokush mund ta prodhojë atë certifikatë e të thotë: Jam vaksinuar”, tha për DW Bernardo Mariano, drejtori i OBSH-së për Inovacionin Shëndetësor Dixhital. “Ne e dimë që sa herë që vendoset një lloj rregulli ose rregullore, disa njerëz do të përpiqen ta thyejnë atë, të krijojnë informacion të rremë – ose një certifikatë vaksinimi.”

Rregullorja Ndërkombëtare e Shëndetit siguron një kornizë ligjore që përcakton të drejtat dhe detyrimet e shteteve gjatë trajtimit të krizave dhe emergjencave të shëndetit publik, që kanë potencial të kalojnë kufijtë.

OBSH e hapur për bashkëpunim

Që një certifikatë vaksinimi COVID-19 të bëhet e detyrueshme për udhëtime në të gjithë botën, do të duhet të jetë pjesë e IHR-së dhe ky proces do të zgjasë shumë, tha Mariano. Por ka rrugë të tjera.

Një nismë e tillë është CommonPass, një sistem dixhital për verifikimin e testeve COVID-19 dhe certifikatave të vaksinimit. Disa kompani ajrore tashmë kanë shpërndarë aplikacionin tek udhëtarët. Një sërë organizatash iu drejtuan OBSH-së me zgjidhjet e tyre individuale dhe roli i OBSH-së është të vendosë standardin për certifikatat, tha Mariano për DW.

Ai e krahasoi vizionin e OBSH-së me përdorimin e kartave bankare me logon e Visa-s në to. Kartat i përkasin bankave të ndryshm,e por ato funksionojnë duke përdorur sistemin e pagesave të Visa-s. Nëse gjithçka shkon sipas planit, OBSH-ja do të ketë zhvilluar dhe përcaktuar standardet e certifikatës së vaksinimit dhe do të adresojë çështjet e privatësisë së të dhënave deri në fund të marsit, me qëllim që gjithçka të jetë gati deri në fillimin e muajit prill.

Debate rreth vaksinave për udhëtime

Në një letër drejtuar Komisionit Europian në 12 janar të këtij viti, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis sugjeroi krijimin e një certifikate të përbashkët europiane për njerëzit e vaksinuar për COVID-19. Vaksinimi nuk do të ishte i detyrueshëm ose parakusht për udhëtime, por njerëzit që janë vaksinuar duhet të jenë të lirë të udhëtojnë, shkroi Mitsotakis.”

Më 15 janar të po këtij viti, Komiteti i Emergjencave i OBSH-së rekomandoi që shtetet të mos kërkonin certifikata vaksinimi nga udhëtarët, deri në të pasurit e evidencave më të sakta mbi vaksinat.

Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit (WTTC), i cili kundërshton kërkesat e vaksinimit për udhëtime, tha që kërkimi i certifikatave do të vonojë ringjalljen e një sektori udhëtimi dhe turizmi, tashmë në krizë.

Gloria Guevara, presidente e këtij Këshilli, i tha DW se për shkak se do të duhet një kohë e konsiderueshme për të vaksinuar popullatën botërore, shumë njerëz do të diskriminoheshin pasi mund të dëshironin të vaksinoheshin por s’do të kishin mundësi, “veçanërisht ata në vendet më pak të zhvilluara, ose grupmoshat më pak vulnerabël “. WTTC përkundrazi mbështet testimin para nisjes dhe testin sapo mbërrin në destinacion.\DW