Rusia “në ankth”, mbështetësit e Navalny sërish në protesta

Autoritetet ruse kanë mbyllur stacionet e metrosë dhe po kufizojnë lëvizjen në Moskë përpara tubimeve të paralajmëruara nga mbështetësit e liderit të burgosur të opozitës Alexei Navalny, që pritet të mbahen dhe në disa qytete të tjera të Rusisë gjatë së dielës.

Marketing

Shumë restorante dhe dyqane në qendër të qytetit do të mbyllen dhe transporti tokësor do të devijohet, në zonat ku parashikohet të kalojnë protestuesit.

Protesta të ngjashme u mbajtën dhe një javë më parë, ku autoritetet arrestuan më shumë se 4,000 persona, mes tyre dhe shumë të afërm e bashkëpunëtorë të Navalny.

Lideri i opozitës, Alexei Navalny u burgos kur u kthye në Rusi, pasi u rikuperua nga një përpjekje për ta vrarë atë me një agjent nervor.

Figura kryesore e opozitës u arrestua më 17 Janar për mosrespektimin e një dënimi me kusht. Ai sapo ishte kthyer nga Berlini, ku kaloi disa muaj për t’u rikuperuar nga sulmi me agjentin nervor që për pak rezultoi fatal për të.