Kovid 19 Kosovë,nis trajtimi i pacientëve me plazmën e gjakut

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka nisur trajtimi i pacientëve me COVID-19 me plazmën kovalescente.

Marketing

Lajmi u bë i ditur nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili tha se deri më tani, tre pacientë kanë marrë këtë terapi dhe “nuk kanë pasur efekte anësore”.

Autoritetet shëndetësore kanë miratuar një udhëzues, përmes së cilit lejohet trajtimi me plazmën kovalescente, si terapi mbështetëse për pacientët me koronavirus.

Trajtimi i pacientëve me COVID -19 me plazmë konvalescente bëhet duke marrë plazmën e gjakut nga pacientët e shëruar nga koronavirusi, pasi që gjaku i tyre ka antitrupa që luftojnë virusin. Transfuzioni i antitrupave besohet se krijon atë që njihet si “imuniteti pasiv” te të prekurit me COVID-19.

Më herët gjatë kësaj jave, infektologu Sali Ahmeti ka thënë për REL se trajtimi i pacientëve me koronavirus me plazmë konvalescente mund të rezultojë me efekte të mira te pacientët që e marrin këtë trajtim në kohën e duhur.

Ndarja e gjakut nga plazma bëhet në Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut.

Kjo metodë e trajtimit përmes plazmës është aplikuar në vazhdimësi për shumë sëmundje brenda Klinikës Infektive të QKUK-së.