Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, u bëri thirrje partive fituese në Kosovë, që të formojnë Qeverinë “shpejt dhe me efikasitet”.
“Nuk ka kohë për vonesa kur Qeveria e re përballet me kaq shumë sfida”, tha Kosnett, teksa foli në ceremoninë inauguruese të induksionit gjyqësor të Akademisë së Drejtësisë, të enjten në Prishtinë.
Kosnett tha se “nuk ka asnjë sfidë më urgjente dhe më të rëndësishme” sesa luftimi i pandemisë së koronavirusit.
Ai tha se qytetarët duhet të mbeten të kujdesshëm dhe vigjilentë, por shtoi se, “për fat të keq, një shkallë e tillë kujdesi nuk është vërejtur nga politikanët dhe qytetarët e Kosovës, në javët përpara zgjedhjeve” të 14 shkurtit.
Gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë, në shumë tubime janë vërejtur njerëz që nuk kanë veshur maska dhe nuk e kanë respektuar distancën sociale – masa këto të kërkuara për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje.
Në vend të dytë ka dalë Partia Demokratike e Kosovës dhe në të tretin Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kosnett ka takuar të martën udhëheqësin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, me të cilin, siç ka thënë, ka diskutuar “rrugën përpara të Kosovës”.
Ambasadori amerikan, më herët, i ka uruar qytetarët e Kosovës për demonstrim të “përkushtimit ndaj demokracisë” në ditën e zgjedhjeve.
Të enjten, Kosnett tha se sikurse zgjedhjet, edhe gjyqësori i pavarur është një shtyllë kryesore e demokracisë.
“Një gjyqësor i pavarur, një gjyqësor që nuk i nënshtrohet presionit politik, është thelbësor për të mbështetur sundimin e ligjit”, tha ambasadori amerikan në Prishtinë.
“Qytetarët e Kosovës meritojnë një Qeveri efektive, që e përmbush mandatin e saj të plotë”, theksoi ai.