Fitorja e Kurtit në Kosovë, e njejtë me fitoren e BDI-së në Maqedoni

Skena politike në Kosovë pësoi ndryshime të mëdha si pasojë e zgjedhjeve të parakohshme ku VV sipas rezultateve të para zyrtare mori 47.85 % të votave, pa u numëruar votat e diasporës.

Marketing

Cila është arsyeja për këtë fitore të madhe të Kurtit? A është kjo fitore shkaku i rinisëdhe figurave të reja politike? Dhe a kanë ndikuar këto tek lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pasi ai gjithmonë arrin t’i fitojë zgjedhjet.

Analisti Berat Azizi, për TetovaSot, thotë se fitorja e Vendvendosjes në Kosovë është si rezultat opozitarizmit të vërtetë që tashmë disa vite ka bërë lideri Albin Kurti dhe mënyra se si ka drejtuar partinë në opozitë. Në anën tjetër, sipas tij, ai ka shfrytëzuar të gjitha mangësitë që kanë treguar partitë tjera dhe ka arritur ti artikulojë shumë mire duke bërë që rezultati në këto zgjedhje të jetë shumë i favorshëm.

“Në anën tjetër duhet të cekim se LVV pavarësisht rrethanave politike në listën për deputetë ka futur emra kryesisht të ri, pa ngarkesa politike, me të kaluar të pastër, jo vetëm politike por edhe ekonomike dhe drejtuese. LVV në këto zgjedhje kishte gërshetuar eksperiencën e ish deputetëve me ata të cilët për herë të parë u gjenden në listë përfshi edhe figura përtej politikës. Pra një listë me emra të të gjitha fushave, profesionist dhe me një biografi të bolshme. Madje ai arriti të vendos në listë emra të ish ushtarëve të UÇK-së, viktima të luftës së 1999, dhe emra të cilët kishin përjetuar tmerre. Kjo i dha një epërsi kundrejt oponentëve politik” ka deklaruar Azizi.

Sipas tij, nëse bëjmë një paralele në mes zgjedhjeve në Kosovë dhe Maqedoni kemi një situatë paksa më ndryshe.

“Fitorja e VVsë nuk mund të shtrijë ndikimin në Maqedoni, për shkak të rrethanave dhe mungesës së një subjekti politik që ka bërë një opozitë të fuqishme për 20 vite. E dyta ndikimi i vetëm mund të jetë rifreskimi i listave të vetë partive politike me emra të rinj dhe figura të cilat nuk është me patjetër të jenë politik, por të jenë profesionist të dëshmuar në sferën e tyre. Mendoj se edhe në Maqedoni do të duhet të kemi një sistem zgjedhor me lista të hapura dhe të vëmë emra të rinj për të ofruar votuesve më shumë mundësi zgjedhje.

Ndërkaq analisti politik Blerim Hyseni, mendon që fitorja e VV-së më shumë ka të bëjë me kauzën që ka ndërtuar Albin Kurti për vite të tëra dhe demaskimi i pushteteve të ndryshme gjatë 15 viteve të fundit.

“Vlerësoj që në VV ka pasur prurje por ka pasur edhe ikje, dhe këto as nuk e forcuan e as nuk e dobësuan VV-në. Ajo që e bindi votuesin kosovar ishte kauza që ndërtoi dhe në masë të madhe për një fitore bindëse “kontriboi” sjellja e LDK-së, e cila e mori përgjigjen e merituar në këto zgjedhje. Paralelizmat jo çdo herë janë adekuate dhe reflektohen njejtë në vende të ndryshme. Ali Ahmeti dhe BDI për vite të tëra zgjedhjet i ka fituar me figura të njejta, madje disa vazhdojnë të jenë edhe më tej në pozita të larta. Risi ishte kabineti aktual qeverisës ku u perfshinë figura të reja, besoj kjo erdhi edhe si rrjedhojë e kërkesës së vet anëtarësisë së kësaj partie. Prandaj vlerësoj që çdo subjekt ka nevojë për freskime pavarësisht rezultatit momental zgjedhor, por ato gjithmonë duhet bërë gradualisht dhe jo me prerje të fortë, sepse praktika ka dëshmuar se nganjëherë prerjet e fuqishme lënë edhe pasoja të pariparueshme për një afat të shkurtër” ka deklaruar Hyseni për TetovaSot.