Italia do të ashpërsojë masat anti-COVID pas rritjes së numrit të personave të infektuar. Ministria e Shëndetësisë italiane njoftoi sot ashpërsim të masave do të behët në disa prej rajone të vendit.
“Rajoni i Campania-s, që përfshin Napolin, Emilia-Romagna-n me qendrën e saj administrative, Bologna, si edhe Molise, do të lëvizin nga kategoria “e verdhë” (me rrezik të moderuar) në kategorinë “portokalli” (me rrezik të mesëm) nga e diela”, specifikoi ministria.
Kjo nënkupton mbylljen e bareve dhe restoranteve, që mund të qëndrojnë të hapura deri në orën 17:00 në rajonet “e verdha”.
Gjithashtu, nënkupton edhe kufizime shtesë udhëtimi, sipas të cilave banorët në rajonet “portokalli” nuk mund të largohen nga komuna e tyre e banimit, përveçse për arsye profesionale ose në rast urgjence.
Deri më tani, vetëm pesë nga njëzet rajone, përfshirë Toskanën dhe Umbrian në qendër, janë “portokalli”, ndërsa pjesa tjetër e Italisë është “e verdhë”. Sidoqoftë, një numër kufizimesh të lokalizuara janë vendosur në zonat e prekura nga variante më ngjitëse të koronavirusit të ri.