Marku: Thoshin se nuk jam boksier, por sot tregova vetën

Florian Marku ka dalë triumfues nga The SSE Arena në Wembley ku fitoi meçin ndaj Rylan Charlton.

Florian Marku ka arritur të fitojë duelin ndaj Rylan Charlton në kuadër të “Weltherweight”.

Marketing

Dueli ishte i barazpeshuar, ku në fakt Charlton u duk tejet i rrezikshem duke nokautuar Markun në raundin e gjashtë. Marku vazhdoi me planin e tij dhe u kundërpërgjigj.

Kundërpërgjigja e shqiptarit erdhi në raundin e tetë pas një kombinimi fantastik ku Charlton nuk mundi të përballojë më ndeshjen, kështu që ekipi i tij hodhi peshkirin në ring si shenjë e dorëzimit.

Marku u shpreh se Charlton ishte i vështirë dhe dueli ishte i fortë, por theksoi se ai ka ambicie të mëdha.

“Nuk ishte një duel i lodhshëm, por kundërshtari ishte shumë i fortë. Pak boksier të pamposhtur rrezikojnë rekordin e tyre me duele të vështira”, tha ai.

“Së pari falënderoj promotorin Eddie Hearn, i cili më dha mundësinë të jem këtu e të realizoj ëndrrat e mia. Faleminderit shumë Eddie”, shtoi ai.

“Është e vërtetë që unë jam një kikboksier, por po tregoj që mund ta bëj shumë mirë edhe boksierin”, tha 28 vjeçari.

Marku shprehi respektin edhe për kundërshtarin.

“Rylan ishte një boksier i vështirë. Nuk kam asgjë personale me të, urime edhe atij. Kjo është ëndrra ime, e dua këtë sport me gjithë shpirt. Nëse dikush më mposht, unë e uroj atë. Kanë thënë që nuk di të boksoj, por e tregova sonte veten time”, tha Marku.

“Sot i jap vetes notën 7, për shkak te nokautit. Kundërshtari kishte shumë fuqi, e uroj edhe njëherë. Connor Ben nuk ka marrë kurrë të tilla rreziqe”, shtoi shqiptari.

“Kam luftuar për 10 vjet rresht në Greqi më të mirët, ndërsa ai ndeshej me boksierë me tetë humbje. Ai është frikacak, nuk do të ndeshet me mua“, përfundoi Florian Marku.