Protestat/ ShGM dhe Sindikata e Gazetarëve: Gazetarët u penguan në kryerjen e detyrës

Edhe në protestën e sotme gazetarët nuk e kishin të lehtë e madje u pengun në kryerjen e punës së tyre. Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dënon ashpër sulmin ndaj ekipi të Agjencisë MIA, gjatë raportimit lidhur me protesta për rastin “Monstra”.

Marketing

Siç kanë njoftuar kolegët e Agjencisë Shtetërore të Lajmeve, ka pasur përpjekje për t’ju marrë pajisjet dhe kameramani është shtyrë duke dëmtuar edhe pajisjet. Ky qëndrim ndaj gazetarëve në detyrë është i papranueshëm dhe duhet të ndëshkohet ashpër nga Ministria e Brendshme, sepse dhuna ndaj gazetarëve nuk lejohet në vendet demokratike, theksojnë nga ShGM.

“Mosndëshkimi i sulmeve mund të nxisë dhunë më serioze ndaj gazetarëve, duke rrezikuar më tej sigurinë e tyre, të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të drejtën për të informuar qytetarët. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që të ndryshohet Kodi Penal sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të mbrohen sistematikisht gazetarët dhe punonjësit e medias.”,- thuhet në reagimin e ShGM-së.

Edhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Mediave dënon ashpër sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias. Ata dënuan rastin kur një gazetari të së përditshmes “Slloboden Peçat” u pengua në kryerjen e detyrës nga oficerë policie me veshje civile që e tërhoqën mënjanë, i lakuan krahun, e trajtuan në mënyrë të vrazhdë dhe nuk e lanë të lirë derisa nuk e fshiu materialin e regjistruar, me pretekstin se ai kishte filmuar policët në fytyrë.

“Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Mediave konsideron se një sjellje e tillë e oficerëve të policisë është e papranueshme dhe kërkon një reagim të mprehtë dhe efektiv në gjetjen dhe ndëshkimin e oficerëve të policisë të cilët parandaluan gazetarin e “Sloboden Peçat” të kryejë punën e tij.”,- thuhet në reagim.

Ndërkohë, MPB ka konfirmuar incidentin dhe ka bërë të ditur se janë zbuluar policët që kanë malltretuar gazetarët në protestë, me ç’rast janë gjetur tre policët me veshje civile dhe, siç thuhet, ata do të sanksionohen.