Shkupi fiton 37:0

Futsal Shkupi ka shënuar fitoren më të thellë në historinë e futsalit vendor, teksa sot në palestrën ‘Enver Idrizi” në lagjen Serava mundën ekipin e Kratovës me shifrat 37:0, njofton “infOSport.mk”.

Marketing

Është kjo fitorja më e thellë njëherit edhe për ekipin nga Çairi, i themeluar në vitin 2014-të, e që pas vetes ka edhe 3 tituj kampion si dhe një kupë të fituar.

Edhe pse pa lojtarët e saj më të mirë, si Erkan Seferi, Dragan Petroviç dhe portieri Ivan Stojanovski, të cilët janë grumbulluar me përfaqësuesen e Maqedonisë në futsal, ekipi nga Çairi që nga minuta e parë u vërsul në sulm, duke shënuar gola thuajse në çdo minutë.

I pari që shënoi ishte Ismet Ceka, i cili ndeshjen në fund e mbylli me 6 gola të shënuar, ndërsa më shumë se tetovari në këtë përballje, realizuan Zoran Leveski (15 gola) dhe Erkan Shabani (7 gola).

Ndryshe pjesa e parë u mbyll me shifrat 17:0, ndërsa në pjesën e dytë “bardhekaltërit” shënonin në çdo minutë. Përveç Leveskit, Shabanit dhe Cekës që shënuan sërish, në listën e golashënuesve në këtë ndeshje u regjistruan edhe Burak Memedi (3 gola), Ivan Sotirovski (3 gola), Arsim Fazliu dhe Nikolla Dimovski, ndërsa një gol tjetër ishte pjesë e lojtarëve mysafir në fillimin e pjesës së dytë.

Me këtë fitore, Futsal Shkupi rikthehet në garën për titullin e kampionit. Pas 14 xhirove të kaluara, Futsal Shkupi me 35 pikë renditet në pozitën e tretë, menjëherë pas KMF Proekt Ciko që në pozitën e parë ka 38 pikë dhe Futsal Club Arben Bajrami, që renditet në pozitën e dytë me 37 pikë