Sulm masiv me thikë në Suedi, dyshohet për terrorizëm

Një sulmues në jug të Suedisë ka plagosur me thikë tetë persona, tre prej të cilëve janë në gjendje të rëndë. Policia po e trajton incidentin si rast i dyshuar terrorist.

Marketing

Sulmuesi është një person në të njëzetat dhe u shfaq në pesë lokacione të ndryshme në qendër të qytezës jugore, Vetlanda, rreth orës 15 të së mërkurës, tha policia.

Pas pak minutash, ai u qëllua me armë nga policia, duke mbetur i plagosur. Sulmuesi i dyshuar është arrestuar dhe ndodhet në mbajtje policore, shkruan BBC.

Kryeministri suedez, Stefan Lofven, tha se dhuna e tmerrshme është përkujtim se sa e brishtë është ekzistenca e sigurt. “Ne u bëjmë ballë këtyre veprimeve të neveritshme me forcën e kombinuar të komunitetit”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Jonas Lindell, komandant rajonal i policisë, tha se deri më tani janë identifikuar pesë skena krimi me disa qindra metra mes vete.

Dëshmitarja Asa Karlqvist tha: “Dëgjuam një britmë nga rruga. Pastaj pamë një burrë duke u futur në dyqan dhe duke thënë se është therë me thikë. Nga krahu i rridhte gjak, prandaj morëm peshqir për t’ia shtypur plagën.”

Hetuesit policorë fillimisht thanë se e kanë klasifikuar rastin si tentim vrasje, por më vonë njoftuan se kanë hapur hetime për terrorizëm.