“Jam në gjak me 70 familje”, flet shqiptari që ka mbi shpatulla 150 vepra penale

Dibran Hoxhaj është një i ri nga Prizreni, i cili ka 150 vepra penale në polici. Ai e quan veten King Cobra. Nga njerëzit njihet si një njeri me të shkuar kriminale, por edhe si një bamirës i rregullt dhe besimtar i devotshëm mysliman.

Marketing

Sot ishte i ftuar në studion e “Shqipëria Live” për të rrëfyer jetën e tij, si dhe dha një mesazh të rëndësishëm për të rinjtë. Ai u shpreh se pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në burg dhe se jeta luksoze është e vështirë.

Hoxhaj u shpreh se ka qenë e vështirë që të tërhiqej, por që ja ka dalë. Ndërsa shtoi se besimin e ka patur që në moshën 14-vjeçare, kur mbante ramazanin.

“Ne i kemi borxh fesë myslimane, Allahu nuk ka nevojë për ne, por ne për të. Nuk kam përdorur asnjëherë alkool, nuk kam bërë asnjë tatuazh, nuk kam pirë asnjë cigare dhe nuk kam provuar drogë”, rrëfeu Dibrani.

Sipas tij, nuk të prish askush, por je ti ai që zgjedh rrugën e drejtë apo jo.

“Kur njeriu zhytet thotë se ma bënë të tjerët, por jo. Nga të gjitha shtresat e njerëzve, edhe ato që pinë drogë, nuk arritën të më bënin pjesë të tyre. Të ofrojnë si shenjë respekti, por unë e refuzoja. Ata mendonin se e përdor larg syrit të njerëzve, por nuk ishte aspak ashtu”, tha ai.

I pyetur nëse ka kërkuar falje për gjërat që ka bërë, Hoxhaj tha “po” dhe se është penduar.

“Kam kërkuar falje, edhe jam penduar. Nuk mburrem me atë që dikush është lënduar nga unë, nuk kanë qenë veprime të qëllimshme. Por kur dikush të del para me pistoletë, unë nuk mund të dal ta pres me daulle. U kërkoj falje edhe personave që nuk kanë bërë ankesë në polici. Ka raste që dikush nuk e ka pranuar faljen time. Janë 70 familje që jam si në gjak”, tregoi Dibrani.