Largimi i saj nga Lidhja Demokratike e Kosovës u komentua në forma të ndryshme.
Emrave më të njohur në politikë deklaruan se Vjosa Osmani do të dalë e humbur nga ky largim.
Por ndodhi krejt e kundërta. Vjosa Osmani përpos që doli fitues, theu edhe rekordin e mbledhjes së votave si kandidate.
Drejtuesja e iniciativës ‘Guxo’ dhe kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për presidente, Vjosa Osmani, zyrtarisht është njeriu më i votuar në gjithë historinë e zgjedhjeve në Kosovë, që prej kur ato organizohen me lista të hapura.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Vjosa Osmani mori besimin e gjithsej 300 mijë e 788 qytetarëve të Kosovës të cilët nënvizuan numrin dy në listën e partisë që drejtohet nga Albin Kurti, apo njohur ndryshe si Lëvizja Vetëvendosje, transmeton lajmi.net.
Pasi që Albin Kurtit nuk iu lejua pjesëmarrja si kandidat në këto zgjedhje, Vjosa Osmani i priu thuajse kësaj liste që mori edhe përqindjen më të madhe të zgjedhjeve.
Në kohën kur zgjedhjet organizoheshin me lista të mbyllura e ku votat që merrte partia i shkonin drejtpërdrejtë liderit të partisë, rekordin e njeriut më të votuar në Kosovë e mbante ish-presidenti historik dhe themeluesi i LDK-së, Ibrahim Rugova.
Në zgjedhjet e vitit 2001, Lidhja Demokratike e Kosovës arriti që të mbledhë 359 mijë e 851 vota, apo 45.65%, e ku pati 47 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Asokohe Ibrahim Rugova pati lënë prapa Hashim Thaçin dhe PDK-në që morën 202 mijë e 622 vota dhe Ramush Haradinajn me AAK-në që mori rreth 62 mijë vota.
Vjosa Osmani arriti të mbledhë mbi 300 mijë vota, pavarësisht se nga Isa Mustafa e shumë të tjerë u tha se Osmani nuk do të arrijë të mbledhë aspak vota dhe se largimi i saj nga LDK do të jetë humbës.