Në vazhdën e takimeve, sot kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim,
z. Ali Ahmeti ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Greqisë, z.
Roussos Koundouros.
Me ambasadorin grek, Ahmeti ka biseduar mbi procesin e zbatimit të
Marrëveshjes mes dy vendeve duke e cilësuar atë si një arritje të madhe
që i hapi rrugën Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit
të plotë në NATO si dhe rrugën që po ndjek vendi drejtë aderimit në
Bashkimin Evropian.
Ahmeti gjatë takimit me ambasadorin grek Roussos Koundouros ka diskutuar
edhe mbi proceset politike në vend, përfshirë këtu procesin e
regjistrimit që momentalisht po zhvillohet, si një nga proceset më të
rëndësishme që pritet të përmbyllet me sukses.
Kryetari i BDI-së Ahmeti dhe ambasadori grek Koundouros gjithashtu kanë
shkëmbyer mendime edhe rreth reformave që po realizohen në vend në
sferën e legjislacionit, në ekzekutiv dhe në sferën e gjyqësisë.
Ahmeti bashkë me ambasadorin Koundouros kanë theksuar se zbatimi i
Marrëveshjes së Prespës është i patjetërsueshëm.
Nga ana e tij ambasadori i Greqisë në Shkup, z. Roussos Koundouros ka
shprehur përkrahjen e tij, përkatësisht të Greqisë për Shkupin zyrtar
për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Në fund të këtij takimi z. Ali Ahmeti i ka thënë ambasadorit grek në
Shkup, z. Roussos Koundouros se Bashkimi Demokratik për Integrim si
parti politike do të vazhdoj të mbetet përkrahëse e fuqishme e
politikave evropiane me qëllim që RMV sa më shpejtë të bëhet pjesë e
familjes së madhe evropiane.