Infermierja mori ryshfet 300 euro, u denoncua nga kolegët mjekë

Një infermiere e moshës 54-vjeçare, e cila punon në Klinikën Universitare për Ortopedi akuzohet nga Prokuroria se ka marrë ryshfet në vlerë prej 300 eurove.

Marketing

150 euro i ka marrë për vete, po aq ua ka dhënë mjekëve të cilët e kanë kryer operacionin e pacientes. Ryshfetin e ka marrë nga biri i pacientes.

“Prokurori publik i Prokurorisë Publike në Shkup ka propozuar aktakuzë kundër një personi për veprën penale – Pranim të dhuratës për ndikim të kundërligjshëm në bazë të nenit 359 paragrafi 1 nga Kodi Penal. E akuzuara e moshës 54-vjeçare, gjatë periudhës 23 – 28 shtator 2020, si infermiere e Klinikës Universitare për ortopedi, nga biri i pacientes e cila duhej të operohej ka kërkuar 300 euro, ëmbëlsira dhe pije, sikur dhuratë për mjekët të cilët e kanë kryer operacionin. Dhuratën e ka kërkuar me mesazh që ka qenë i dërguar te anëtari i familjes së pacientes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, transmeton TV21.

54-vjeçaren e kanë denoncuar dy mjekë, kolegë të saj, ndërkaq siç bëjnë të ditur nga Prokuroria, ndaj të akuzuarës është shqiptuar edhe masë e sigurisë, si ndalesë për ta lëshuar vendin e banimit dhe ndalesë për aktivitete që kanë të bëjnë me veprën penale.