ASH uron 7 marsin më 6 mars!

Është data 6 Mars ndërsa do të duhej nesër të bëheshin urimet e zakonshme për ditën e mësuesit 7 Marsin.

Marketing

Aleanca për Shqiptarët Dega Tetovë me në krye me Muzafer Etemi ka dalë sot në një paraqitje publike për të uruar një ditë më parë festën e madhe të arsimit shqip ,ditën e mësuesit informon Tetovasot

Më poshtë e keni të plotë prononcimin e Aleancës për Shqiptarët Dega Tetovë:

Po ju drejtohemi sot, në këtë datë historike për kombin tonë, në Ditën e Mësuesit, në ditën e atyre që mbajnë mbi supe ardhmërinë, në ditën e atyre që e përçojnë tutje dritën e diturisë. Do të donim që kjo fjalë jona të ishte një fjalë kremteje, plot urime për Mësuesin, por në vendin tonë, në rrethanat në të cilat jetojmë, është pothuajse e pamundur të urohet bujshëm 7 Marsi, pa ia qarë hallin mësuesit, shkollës e nxënësit tonë.

Mësuesi ynë është autoriteti më I nëpërkëmbur, në vend që të ishte kryeautoriteti sikurse denjon me rolin që ka. Mësuesit tonë I mungojnë mjetet themelore të zhvillimit të orës së mësimit, siç janë tekstet mësimore, të cilat o nuk i ka fare, o i ka plot gabime monstruoze që nuk e lejojnë të komunikojë lirshëm me nxënësin.

Mësuesit tonë në shumë shkolla I pikon çatia, I rënohet suvaja e murit, I mungon fondi I mirëfilltë I librave të bibliotekës shkollore, I mungon hapësira për mësime kreative e orë plotësuese se duhet ngutur, pasi ende pa u ajrosur mirë klasa ia behin nxënësit e ndërrimit tjetër.

Mësuesit tonë i servohet një reformë e ngutshme arsimore pa e testuar paraprakisht, pa e pyetur kush mirëfilli nëse kjo I duket e përshtatshme apo jo, nëse kjo do të ia bëjë më të vështirë punën dhe më të parealizueshëm qëllimin e mësimit. Atij I përsëritet historia e kompjuterëve të gjoja reformave të viteve të shkuara, të cilat kompjuterë në pothuajse të gjitha shkollat dergjen copë-copë në ndonjë podrum a klasë të veçantë, ndërkohë që mungon jo vetëm kabineti I lëndëve të veçanta, por edhe sapuni I duarve dhe një sërë gjërash elementare që e ndrydhin mësuesin, ia rrudhin integritetin dhe arsimin e defunksionalizojnë gati plotësisht.

Të nderuar qytetarë, mungesa e një plani të mirëfilltë arsimor nga ana e Ministrisë së Arsimit e katandis shkollën tonë në një eksperiment të vazhdueshëm që sistematikisht I shkatërron vlerat mësimore, duke pamundësuar krijimin e një elite intelektuale nga shkollarët e sotëm, që janë fëmijët tanë.

Në cilindo segment të arsimit që ndalemi, shohim para vetes vetëm zhgënjim, joseriozitet, ngecje, mungesë cilësie…, dukuri këto që vijnë nga politizimi I skajshëm I arsimit, nga mungesa e meritokracisë në vend dhe nga moskujdesi absolut ndaj elemetit qenësor të një kombi, siç është arsimimi.

Për arsimim, të dashur qytetarë, në kohëra shumë më të vëshira se sot, rilindasit tanë kanë shkrirë veten e tyre në rrugët e dijes. Historia jonë me mburrje na flet për atdhetarë që krijuan shkollën shqipe, e cila shkollë e hapi rrugën drejt krijimit të shtetit dhe e tërë kjo na u la peshqesh ne që ta bartim e ta shpiejmë mëtutje. Por, politikat tona të mrapshta jo rrallë ndërrojnë trajektore, e ndrydhin mësuesin dhe s’bëjnë kujdes për nxënësin, siç s’bëjnë kujdes me vite ta ndërtojnë bibliotekën e shumëpremtuar të qytetit, siç s’bëjnë kujdes t’i korrigjojnë gjuhësisht dhe shkencërisht librat mësimorë, siç s’bëjnë kujdes që çdo nxënës të furnizohet me tekst mësimor, siç s’bëjnë kujdes që mësuesi të jetë sovrani I vetëm në shkollë pa asnjë ndikim partiak a politik.

Të dashur qytetarë, ne urojmë që ditët më të mira të vijnë për ne, për shkollën e për mësuesin tonë, në mënyrë që të mundemi ballëlartë të kremtojmë dhe të urojmë pa na u dridhur zëri në festa të tilla të mëdha për kombin. Ne besojmë fort se dinjiteti I nëpërkëmbur I shkollës do të kthehet së shpejti. Deri atëherë, qofshi shëndoshë e Gëzuar 7 Marsin.