Dy persona janë plagosur, pas një tentim grabitje në magjistralen Prishtinë-Gjilan, ata janë dërguar në QKUK për trajtim.
Të plagosurit janë punonjës të një kompanie, të cilët po transportonin para me një veturë.
Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 16:45 policia ka marre informatën për një tentim grabitje te armatosur ne rrugën magjistrale Prishtine -Gjilan . Menjëherë pas informatës policia ka dale ne vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore. Bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se persona të dyshuar në rrethana që aktualisht po trajtohen nga policia kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit që po kryente transportin e parave. Për pasoje dy persona pjesë e kompanisë që po kryente transportin janë plagosur dhe të njëjtit janë dërguar ne QKUK për trajtim mjekësor”, ka thënë Borovci.
Borovci ka thënë se të dyshuarit nuk kanë arritur ta kryejnë grabitjen, ndërsa kanë ikur nga vendi i ngjarjes.
“Të dyshuarit nuk kanë arritur të kryejnë grabitjen, por si e tillë ka mbetur në tentative, dhe të njëjtit kanë ikur nga vendi i ngjarjes. Policia ka filluar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qellim zbardhjen e tyre dhe identifikimin e te implikuarve”, ka thënë Borovci.