Ëndrra së shpejti po bëhet realitet! (Video)

Nga themelimi i FC Shkupit e deri më tani në infrastrukturën e ekipit dhe në ngritjen e ekipit në një nga klubet më të mëdha të vendit, është punuar shumë pak, për të mos thënë fare. Por viteve të fundit me ardhjen e sponsorit të ri me në krye presidentin Olgun Aydin, skuadra nga viti në vit po arrin të ndryshojë si në aspektin e rezultateve, por edhe në ngritjen e infrastrukturës.

Marketing

Vite më parë është folur se skuadra e Shkupit është vatër e prodhimit të talenteve të reja dhe kjo është fakt i pamohueshëm, pasi nga ky ekip kanë dalë futbollistë e trajnerë të mëdhenj, që kanë lënë shenja jo vetëm në futbollin vendor, por edhe atë ndërkombëtar.

Dhe tani pikërisht kur klubi ka marrë hovë drejt arritjeve të mëdha në futbollin vendor dhe atë ndërkombëtarë, radha është që të bëjmë edhe prezantimin e një investimi kapital, që do të ndihmojë në zhvillimin dhe formimin e futbollistëve të së ardhmes, duke krijuar dhe akademinë e futbollit.

Kryesia e klubit ka bërë gati projekt planin për ndërtimin e disa fushave të futbollit, ku të rinjtë tanë do të kenë kushtet më moderne dhe më të favorshme në formimin e tyre. Gjithashtu ky projekt që është gati të rinisë me fillimin e punimeve në lagjen e Butelit, ka një hapësirë mbi 20 mijë metra katrorë, do të ketë edhe fushën e tenisit dhe basketbollit. Qendra e fitnesit, kafiteria, hapësirë për të rinj si dhe zyrat e administratës do të jenë pjesë e këtij projekti gjigant.

Fillimi i punimeve pritet të nisë në kohë sa më të shpejtë, që edhe akomodimi i gjeneratave të reja të futbollistëve tanë të jenë të gatshëm për sfida të reja me kushtet më të mira në vend.

Një herit ky projekt do të ngritë në nivelet më të larta futbollin në vendin tonë, që do të jetë një nga investimet më të mëdha në akademitë e futbollit tonë.