Ministria e Financave dhe Akademia e shkencave dhe arteve të Maqedonisë (ASHAM) lidhën Memorandum për bashkëpunim me qëllim të avancimit të sistemit të financave publike dhe zbatimit të aktiviteteve të dedikuara në nxitjen e rritjes dhe zhvillimit ekonomik. Memorandumi u nënshkrua nga ministri i Financave Fatmir Besimi dhe kryetari i ASHAM-it Lupço Kocarev.
“Arritja e qëllimeve të planifikuara do të realizohet përmes organizimit dhe realizimit të hulutimeve shkencore, rezultatet shkencore të të cilave do të zbatohen në pjesën e avancimit të financave publike, ekonomisë së tregut, sipërmarrësisë dhe konkurrencës si dhe për promovimin e praktikave të mira të biznesit”. Në vijim do të bëhen analiza dhe hulumtime shkencore në sfera të ndryshme me interes të përbashkët që duhet të rezultojnë me krijimin e kushteve të favorshme për udhëheqje të biznesit, nxitjen e rritjes ekonomike dhe mjedisin e qëndrueshëm dhe të parashikueshëm të biznesit”, theksoi ministri i Financave Fatmir Besimi lidhur me nënshkrimin e Memorandumit.
Njëkohësisht, bashkëpunimi do të mundësojë përmirësimin dhe zhvillimin e praktikës së dialogut në krijimin e politikës makroekonomike dhe zhvillimore, të udhëhequr nga rezultatet e hulumtimeve shkencore fundamentale, aplikative dhe zhvillimore të kësaj sfere.
“Në vitet në vijim, ASHAM, sa më shumë që të jetë e mundur, do t’i mbështesë dhe përforcojë hulumtimet fundamentale, aplikative dhe zhvillimore në shkencat ekonomike, me qëllim që të rritet funksioni këshillëdhënës i ASHAM-it.
Përmes një sërë aktivitetesh të mëtejshme të përbashkëta, ASHAM dhe Ministria e Financave me ndihmën e mendimit shkencor, do të kontribuojnë në drejtim të progresit të ekonomisë së Maqedonisë”, tha kryetari i ASHAM-it Lupço Kocarev.
Ministria e Financave, së bashku me ASHAM, do të marrin pjesë në përgatitjen e vëzhgimeve strategjike mikro dhe makroekonomike analitike dhe hulumtimeve shkencore.
Gjithashtu, të dyja institucionet do të punojnë së bashku në lidhje me rrjetëzimin dhe funksionimin e rrjeteve nacionale dhe ndërkombëtare, në zbatimin e iniciativave të përbashkëta për kryerjen e analizave dhe hulumtimeve shkencore për përfitimet nga zbatimi i suksesshëm i politikave dhe rregulloreve evropiane si dhe aktiviteteve tjera qëllimi përfundimtar i të cilave është nxitja e rritjes dhe zhvillimi ekonomik.