Ali Ahmeti shënon 40 vjetorin e demonstratave studentore të Prishtinës

Në përkujdesje të kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali
Ahmeti sot u organizua konferencë me rastin e shënimit të 40 vjetorit të
demonstratave studentore në Prishtinë, të cilat dhe sollën lirinë për
popullin shqiptar të Republikës së Kosovës.
Kryetari i BDI-së, z. Ali Ahmeti me këtë rast ka thënë se sot është një
ditë e veçantë pasi që në këtë përvjetor pranë tij të pranishëm ka dhe
shumë bashkëveprimtar dhe pjesëmarrës të ngjarjeve të vitit 1981 si
Fadil Bajrami, Tahir Hani dhe Sadulla Duraki e shumë të tjerë.
Ahmeti para të pranishmëve gjithashtu ka thënë se gjenerata e vitit 1981
është gjeneratë më me fat pasi që kur nuk e humbi kontinuitetin deri në
organizimin e luftës çlirimtare.
Siç u shpreh kryetari Ahmeti pas krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës, u bë një luftë e pastër, me ndihmën e aleatëve, me ndihmën e
SHBA-ve, BE-së dhe NATO-së, me ç’rast u arrit të çlirohet Kosova. Më pas
arritëm që Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare dhe UÇPMB-në ta organizojmë
mirë dhe ia dolëm mbanë që në fushën kombëtare dhe atë ndërkombëtare ta
legjitimojmë UÇK-në, por dhe të pranohet marrëveshja ndërkombëtare për
ndryshim rrënjësor të statusit politik të shqiptarëve në Republikën e
Maqedonisë së Veriut, me marrëveshjen paqësore të Ohrit.
Ndërkohë drejtori i ITKSHKS-së, z. Skender Asani në fjalën e tij me
rastin e kësaj konference tha se demonstratat studentore që ndodhën para
40 viteve, më 11 mars të vitit 1981 hapën një proces të pandalshëm të
betejave të vetëdijesimit politik të shqiptarëve në ish Jugosllavi.
Sipas Asanit këto ngjarje epiqendrën e patën në Kosovë, por që ato u
zgjeruan dhe shtrinë ndikimin e tyre edhe në hapësirat tjera shqiptare
në ish Jugosllavi. Sipas tij viti 1981 shënoi kufirin mes dy
mentaliteteve politike të asaj kohe, mendësinë burokratike të
politikanëve që kundërshtonin çdo lloj ndryshimi dhe në anën tjetër
studentët të prirë nga një shtresë revolucionarësh politik që ishin
kalitur në ilegalitet, të cilët më vonë do të bëheshin dhe bartës të
proceseve të rëndësishme që u kurorëzuan me kryengritjen e armatosur,
fillimisht në Kosovë e pastaj në Maqedoni të Veriut dhe në Luginën e
Preshevës.
Nga ana tjetër bashkëveprimtari i kryetarit të BDI-së, z. Hydajet Hyseni
fjalimin e tij e nisi me disa fjali të atdhetarit të madh shqiptar Adem
Demaçi i cili për demonstratat e studentore të vitit 1981 kishte thënë:
“Po të mos ishin përpjekjet e mëhershme çlirimtare nuk do të ishte
lëvizja e vitit 1968, po të mos ishte lëvizja e 68-ës nuk do të ishte
pranvera e vitit 1981 dhe të gjitha lëvizjet e mëvonshme e deri tek
Ushtritë Çlirimtare që sollën realizimin e një pjese të madhe të
idealeve të brezave të mëparshëm.”
Në fund të kësaj konference, Ahmeti, Hyseni dhe Asani u dakorduan bashkë
se shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë më mirë se sot, por pranuan se
nesër mund të bëhemi edhe më mirë nëse të gjithë bashkë punojmë dhe
angazhohemi për një ardhmëri më të mirë dhe pikësynim i yni mbeten
vlerat evropiane dhe thellimi i partneritetit me miqtë tanë amerikan.