Sot do të mbërrijnë në Shqipëri 38 mijë e 400 dozat e para të vaksinës antiCOVID-19 AstraZeneca.
Lajmin për ardhjen e mbi 38 mijë dozave të vaksinës AstraZeneca e ka bërë të ditur dy ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Rama këtë e ka quajtur lajm të mirë duke thënë se menjëherë do të filloj vaksinimi i mësuesve.
“LAJM I MIRË. Pasnesër mbërrijnë 38 400 DOZAT E PARA TË VAKSINËS ASTRAZENECA dhe nisim menjëherë vaksinimin e mësuesve”, shkroi Rama të mërkurën.
Të mërkurën deklaratë dha edhe ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu.
Ajo deklaroi se është drejt përfundimit vaksinimi i stafeve mjekësore në të gjithë vendin.
Ndërkohë që në 24 orëshin e fundit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konfirmuar vdekjen 16 qytetarëve të infektuar me COVID-19. Gjatë kësaj periudhe kohor janë regjistruar 602 raste të reja nga 3077 teste të kryera dhe 761 të shëruar, përderisa janë kryer 1080 vaksinime antiCOVID-19 ose 22.693 që nga fillimi i vaksinimit.
Më së shumti raste të reja janë regjistruar në Tiranë. Aty janë regjistruar 243 raste të reja me COVID-19, e pasuar nga Korça me 29, Durrësi dhe Fieri me nga 28 raste, Shkodra me 27.
Aktualisht në spitalet COVID-19 në Tiranë dhe tri spitalet rajonale po trajtohen 620 pacientë, 37 në terapi intensive, nga të cilët 12 janë të intubuar.
Që nga shpërthimi i COVID-19 në Shqipëri 115 mijë e 442 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Prej tyre 78 mijë e 259 janë shëruar. Kurse betejën me këtë sëmundje e kanë humbur 2002 pacientë.
Aktualisht në Shqipëri janë 35 mijë e 181 raste aktive.