Universiteti i Tetovës e ndjek me vëmendje publikimin e “informacioneve”, që hedhin dyshime për hulumtimet shkencore të disa profesorëve në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë. Edhe pse nuk është në detyrën e institucionit tonë që t’i komentojmë “zbulimet” e “revistave” me autorë anonim, e njoftojmë opinionin publik se veprimtaria arsimore, hulumtuese shkencore e njësive akademike në Universitetin e Tetovës, zhvillohet në përputhje dhe respekt të plotë të kritereve shkencore.
Avancimet akademike, mbrojtja dhe publikimi i punimeve shkencore u nënshtrohen mekanizmave filtrues, që e verifikojnë apo e skualifikojnë një kontribut të caktuar hulumtues. Se Universiteti ynë ka pasur sukses në lëmin e kërkimit shkencor, kjo dëshmohet edhe nga citimet në revistat me impact factor, pozicionimin e lartë në rangimet e agjencive prestigjioze ndërkombëtare si dhe organizimin e dhjetëra konferencave dhe kongreseve shkencore, në të cilat marrin pjesë qindra shkencëtarë të mirënjohur.
Sa i takon lirimit nga detyra të ish-dekanit të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. Dr.
Kastriot Haxhirexhës, e njoftojmë opinionin publik se, rektori i Universitetit këtë vendim e ka sjellë si pasojë e keqmenaxhimit, joefikasitetit në punë, mosreagimin në kohë ndaj parregullsive dhe shkeljes së etikës së punës, mosmarrjen e përgjegjësive ligjore-statutore dhe moskoordinimin me ëshillin Mësimor –Shkencor të kësaj njësie akademike.
Ndaj, përtej tentimeve dashakeqe për ta njollosur këtë institucion nga botues anonim, revista pa adresë, persona me agjenda të dyshimta, ne jemi të angazhuar që të ecim përpara në rrugën e zhvillimit institucional dhe avancimit arsimor-shkencor.
Janë me mijëra studentë që për 26 vjet me radhë bashkë me pedagogët e tyre, punuan pareshtur që ky Universitet t’i arrijë synimet arsimore dhe kulturore të kombit shqiptar në vendin tonë.