Me ftesë të ministres së Kulturës të RMV-së, Irena Stefoska, sot drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela me bashkëpunëtorët e tij, Ahmet Selmani dhe Liljana Pandeva, zhvilloi një takim pune. Qëllimi i këtij takimi ishte konsultimi për disa çështja nga sfera e humanistikës që kanë të bëjnë me përkthyesit dhe përkthimin në RMV. Sipas ministres Stefoska patjetër duhet të kthehet dinjiteti i përkthyesve vendës, prandaj është e domosdoshme mbështetja dhe stimulimi i tyre. Duke u nisur nga kjo, ajo propozoi që të hartohet një program për mbështetjen e përkthyesve, përkatësisht stimulimin e tyre në vendin tonë. Po ashtu ajo hodhi idenë që të hartohet edhe një program për përkthime të kryqëzuara, siç i quajti ajo, domethënë përkthime nga autorë maqedonas në shqip dhe nga autorë shqiptar në maqedonisht. Krahas këtyre, ajo propozoi edhe një program për furnizimin e disa bibliotekave në qytetet tona me botime (përkthime) nga Shqipëria, pra si një import intervenues për pasurimin e bibliotekave, sepse numri i lexuesve është i lakmueshëm. Por paraprakisht ranë dakord që të organizohet një tryezë e rrumbullakët për të diskutuar me përkthyes, bibliotekarë, botues etj., dhe për të ndërtuar një strategji lidhur me këtë çështje. Gjatë takimit në fjalë, si pikë të veçantë ajo e shtroi edhe çështjen e licencave për lektorë në gjuhën shqipe, me qëllim që të zgjidhet statusi i tyre njësoj si ai i lektorëve për gjuhën maqedonase.
Për të gjitha këto ide e propozime ranë dakord të dyja palët, që të mbështeten përkthyesit në RMV, si dhe të diskutohen bashkërisht të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me përkthimin dhe lekturën.