Tomini: Në Shqipëri, Pfizer më shumë efekte anësore

Nga vaksinat antiCovid që po përdoren në Shqipëri deri tani efektet më të padëshiruara janë vënë re tek vaksina Pfizer. Kështu u shpreh zëvendësministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini, gjatë një komunikimi direkt me Skype për Klan News në Edicionin e Fundit.

Marketing

“Efektet e padëshiruara janë vënë re më shumë të vaksina Pfizer, si skuqja apo dhimbja në vendin e injektimit, një irritim i lëkurës, dobësi moskulare apo djegie në ditët e ardhshme. Kurse me AstraZenecën është një lloj përzierje pas 24 orëve të aplikimit të vaksinës. Gjatë ditëve të aplikimit të kësaj vaksine nuk është vënë re ndonjë efekt tjetër më i rëndë.”

Zëvendësministrja Tomini foli edhe rreth aktit normativ për të marrë në vend vaksina të tjera si ajo ruse apo kineze. Ajo e sheh këtë si një mundësi të mirë për imunizimin e popullatës.

“Pas aktit normativ janë hapur mundësitë për vaksinat që nuk janë certifikuar nga EMA, por nga agjenci të tjera kombëtare nga vendet ku janë prodhuar dhe kanë një eksperiencë ndërkombëtare. Prandaj është mundësi e mirë që ministrat të procedojnë bisedimet me kompanitë e tjera të vaksinave  për të pasur imunizim më të madh të popullsisë shqiptare.”

Tomini komentoi edhe mbledhjen e sotme të Komitetit të Ekspertëve dhe mosndryshimin e masave, për të cilat tha se “komiteti i ekspertëve mblidhet çdo ditë për të vlerësuar situatën dhe duke parë të dhënat epidemiologjike deri në këto momente nuk është parë e nevojshme për të pasur ndryshime të rekomandimeve te Komitetit. Nëse situata do të ketë ndryshime atëherë do shihet për masa shtrënguese.”/