Bazuar në vendimin e Qeverisë për shpalljen e mali Sharr – Park Nacional, ministri i ambientit, Naser Nuredini, ka sjellë vendim për ndërprerjen e dhënien së koncesioneve të reja për ndërtimin e hidrocentraleve, peshkimit, apo aktivitete tjera që dëmtojnë natyrën, thotë drejtori i mjedisit jetësor, Hisen Xhemaili. Sipas tij, ky vendim do jetë në fuqi deri në sjelljen e ligjit në kuvend.
“Në bazë të këtij vendimi duhet të ndërpriten të gjitha procedurat e dhënies në koncesion të veprimtarive të ndryshme, që përfshin peshkimi, pylltaria, dhënien e koncesioneve të hidroenergjisë dhe kështu me radhë. Deri në sjelljen e ligjit këto proceduara duhet të ndërpriten. Ndërsa sa i takon veprimtarive për subjektet që kanë koncesione të ndryshme, veprimtaritë ekonomike e kështu me radhë do të mund të vazhdojnë. Me këtë vendim ndërpriten të gjitha iniciativat e reja.”,- tha drejtori i mjedisit jetësor, Hisen Xhemaili.
Ambientalistët e përshëndesin këtë vendim, të cilin madje e quajnë shumë të vonuar.
“Ne përshëndesim vendimin e shpalljes së Malit Sharr – Park Kombëtar. Mirëpo masat që janë ndërmarrë nuk do të jenë efikase pasi dëmi katastrofal dhe ekocidi në Malin Sharr deri më tani është bërë. Qeveria, duke e ditur që nga viti 1994 pret që Mali Sharr të shpallet Park Nacional, ajo me vetëdije ka dhënë në koncension për ndërtimin dhe shkatërrimin e Malit Sharr me këtij hidrocentrale.”,- theksoi Ngadhnjim Memeti nga “Eko Guerilla”.
Edhe Platforma “Miqtë e Sharrit” ditë më parë kanë kërkuar që ndërtimi i hidrocentraleve në Malin Sharr të ndërpritet. Sipas tyre, ndërtuesit e hidrocentraleve nuk ju kanë përmbajtur asnjë rregullativë ligjore, ndërsa shpeshherë shkaktohet edhe erizion dhe mungesë e ujit. Sipas Platformës “Miqtë e Sharrit” përfitues nga ndërtimi i hidrocentraleve janë vetëm ndërtuesit në dëm të natyrës. Parku Kombëtar i Malit Sharr përfshin mbi 62 mijë hektar sipërfaqe, përfshi 27 fshatra të komunave të Pollogut (Tvm 2)