Pendarovski zhvilloi bisedë telefonike me kreun e NATO-s, Jens Stoltenberg

Me rastin e përvjetorit të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, presidenti Stevo Pendarovski zhvilloi një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

Marketing

Nga Presidanca njoftojnë se gjatë bisedës, të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi rolin e Aleancës dhe ballafaqimin me sfidat e ardhshme të sigurisë, stabilitetin rajonal dhe prioritetet e politikës së jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Në këtë kontekst, presidenti Pendarovski shprehu mirënjohje për mbështetjen që vendi merr nga Zyra e Sigurisë e NATO-s në procesin e çertifikimit të zyrtarëve në vend për çka kërkohet një çertifikatë sigurie e NATO-s. Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se ky është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe se duhet të vazhdojë në të gjitha segmentet e nevojshme, jetike për sigurinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe sigurinë e Aleancës”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, Pendarovski shprehi falënderime për ndihmën e deritanishme në trajtimin e pasojave të pandemisë së koronavirusit, duke theksuar se solidariteti dhe mbështetja e vendeve aleate është e nevojshme për të tejkaluar sfidat e reja reale me të cilat përballen Evropa dhe bota.

Në bisedën telefonike, Pendarovski riafirmoi gatishmërinë dhe përkushtimin e vendit në promovimin e paqes dhe stabilitetit, duke theksuar se vendi do të vazhdojë të kontribuojë në mënyrë aktive në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare të drejtuara nga NATO në rajon dhe më gjerë.

“Maqedonia e Veriut u mbetet plotësisht e përkushtuar reformave të mbrojtjes dhe sigurisë në përputhje me standardet e NATO-s”, citohet të ketë thënë Pendarovski.

Të dy bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu dokumentin “NATO 2030”, i cili duhet të përcaktojë të ardhmen e NATO-s.

Më 18 mars 2020, përfundoi procesi i ratifikimit të Protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO nga të gjitha vendet anëtare të Aleancës.

Maqedonia e Veriut më 27 mars zyrtarisht u bë anëtarja e 30-të e NATO-s pas deponimit të instrumentit të anëtarësimit në Traktatin e Atlantikut të Veriut në Departamentin e Shtetit të SHBA-së në Washington.