Xhaferi: Anëtarësimi në NATO, vepër e të gjitha garniturave të kaluara dhe aktuale politike

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi sot ka dërguar urim me rastin e shënimit të njëvjetorit të anëtarësimit tonë të plotë në Aleancën Veriatlantike- NATO.

Marketing

“Më lejoni që sot, kur shënojmë një vit prej anëtarësimit tonë të plotfuqishëm në Organizatën e Traktatit Veriarlantik – NATO, të shpreh urime të sinqerta ndaj jush, ndaj institucioneve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndaj të gjitha qeverive të kaluara dhe faktorëve politikë dhe gjithsesi, ndaj garniturave politike aktuale, pa marrë parasysh nëse janë në pushtet apo opozitë, sepse secili prej tyre, në fushëveprimin e vet, e dha mbështetjen e vet dhe kishte pjesë në statusin që e kemi dhe e gëzojmë sot, gjegjësisht vendi anëtar i 30-të i aleancës më të fuqishme ushtarako-politike, ombrellë e sigurt dhe rojtar i sigurisë së qytetarëve tanë dhe integritetit territorial të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Xhaferi.

Ai tha se jemi të gatshëm të japim kontributin dhe pjesën tonë në sigurinë kolektive dhe sigurinë e familjes së NATO-s. “Ne jemi të gatshëm për ardhmërinë – Maqedonia e Veriut në NATO 2030″, është shprehur ai.

Ai tha se ka pasur nderin që më 11 shkurt 2020 të kryesoj seancën solemne plenare të 133, në të cilën u ratifikua Marrëveshja dhe siç thashë atëherë, do të përsëris edhe tani, “për ne, kjo është ditë historike! dhe me të vërtetë, korrektësia e atij vendimi u konfirmua edhe gjatë këtij viti a me siguri do të përforcohet edhe më shumë në vitet që vijojnë”.

“Dora e mbështetjes dhe miqësisë që e shtrinë vendet anëtare në NATO, aleatët tanë, ishte një përfitim shumë i madh për sistemin tonë shëndetësor dhe menaxhimin e pasojave nga kriza e pandemisë. Jemi të bindur se ajo mbështetje do të jetë mbështetës i sigurt në sfidat e ardhshme që vijojnë sepse, kjo është motoja e NATO-s, gjithë për një dhe një për gjithë”, ka thënë Xhaferi.