Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani ka njoftuar se është infektuar me koronavirus. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ramadani u ka bërë thirrje qytetarëve që të zbatojnë masat për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
“Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitivë duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet”, ka shkruar Ramandani.
IKSHPK-ja, së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, janë dy institucionet kryesore që udhëheqin luftën kundër pandemisë së koronavirusit në Kosovë.
Ditët e fundit, Kosova ka regjistruar rritje të rasteve të reja me COVID-19. Vetëm gjatë të dielës, u regjistruan dhjetë viktima dhe 914 raste të reja.
Në mbrëmjen e 28 marsit, në Kosovë arritën dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit. Bëhet fjalë për 24.000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Fushata e vaksinimit do të nisë këtë javë dhe fillimisht do të vaksinohen punëtorët e Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare.