Katër të arrestuar në Kosovë, dy për keqpërdorime në Telekom

Katër persona u arrestuan të martën në Prishtinë për vepra të ndryshme penale, përfshirë: keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, përvetësimin në detyrë, falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim.

Marketing

Lajmi u bë i ditur nga një komunikatë e përbashkët e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës.

Të arrestuarit u identifikuan vetëm me iniciale: T.M., A.O., K.M., dhe D.Q.

“Dy nga personat e arrestuar dyshohet se veprat i kanë kryer në cilësi të personave zyrtarë në Telekomin e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Sipas saj, ata dyshohet se gjatë zbatimit të kontratës së lidhur në mes të Telekomit të Kosovës dhe operatorit ekonomik – në vlerë prej 327,514 eurosh – “e kanë keqpërdorur” këtë kontratë për përfitime personale.

Dëmi që i është shkaktuar Telekomit të Kosovës kap shumën prej 327,514 eurosh, thuhet në njoftim.

“Dy të dyshuarit e tjerë, duke vepruar në bashkëkryerje, dyshohet se kanë përpiluar dhe vulosur dokumentacion e falsifikuar me përmbajtje të rreme, në emër të personave të tjerë”, bëhet e ditur në komunikatën e përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe të Policisë së Kosovës.