Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës të mbahet të shtunën në ora 18:00.
Lajmi është konfirmuar nga ushtruesja e detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
Vendimi për mbajtjen e seancës është mbajtur pas kërkesës së 41 deputetëve, tha ajo.
Për postin e presidentit kandidojnë dy persona: Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta. Që të dy në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë kandiduar me Listën e Osmanit, që garoi në kuadër të listës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave të Kuvendit të Kosovës, që i bie 80 vota për të deputetëve.
Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tria votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.
Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.