Deputetët e komuniteteve joserbe konfirmojnë votën për Osmanin

Nëntë deputetë nga rradhët e komuniteteve joserbe në Kuvendin e Kosovës kanë konfirmuar se do të votojnë kandidaten, Vjosa Osmani, për presidente të Kosovës.

Marketing

Të shtunën, para nisjes së seancës, zëvendëskryeministrja e Kosovës nga radhët e komunitetit boshnjak, Emilija Rexhepi ka postuar një fotografi në Facebook me anëtarët e Grupit Multietnik, ku ka thënë se ky grup është gati që ta votojë Osmanin për postin e presidentit.

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=1523339658051105&id=100011252565132

Ndonëse ishte paraparë që të nisë në ora 18:00, seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e presidentit të vendit, ende nuk ka filluar.

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit është Vjosa Osmani, e cila në këtë garë, për kundërkandidat do të ketë Nasuf Bejtën.

Sipas Kushtetutës, në garë për president duhet të jenë të paktën dy kandidatë, të cilët paraprakisht duhet të sigurojnë nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve.

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Ndryshe, LVV-ja ka 58 ulëse në kuvend, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 15. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë. Nga komunitetet, Lista Serbe, në zgjedhje i ka fituar dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar partitë boshnjake Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat, sikurse edhe Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.