Kosova regjistron 14 viktima dhe 685 të infektuar me koronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka regjistruar të mërkurën 14 viktima me koronavirusin e ri.

Marketing

“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjakovë 3 raste (81, 74, 62 vjeç), Ferizaj 2 raste (84, 78 vjeç), Kamenicë 2 raste (77, 77 vjeç), Prishtinë 2 raste (79, 69 vjeç), Lipjan 1 rast (74 vjeç), Mitrovicë 1 rast (71 vjeç), Skenderaj 1 rast (58 vjeç), Suharekë 1 rast (53 vjeç), Vushtrri 1 rast (80 vjeç)”, është thënë në njoftim.

Në po këtë ditë, IKSHPK-ja ka raportuar për 685 të infektuar me këtë virus, pas kryerjes së 4,742 testeve.

Më 7 prill, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë thënë se 788 pacientë kanë mposhtur sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi, derisa aktive janë 13,903 raste.

Prej 13 marsit të vitit të kaluar, kur janë raportuar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 95,341 të infektuar.

Prej tyre 1,948 kanë vdekur.

Nga 7 prilli, në Kosovë kanë nisur të zbatohen masat e reja për luftim të pandemisë.

Në mesin e masave që do të zbatohen janë edhe ora policore në periudhën 22:00-05:00, mbyllja e bizneseve të gastronomisë deri më 18 prill, përveç shërbimeve “merr me vete”, “dërgesë me porosi” apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat, si dhe zhvillimi i mësimit në institucionet arsimore në versionin online.