Sindikata e Hotelerisë dhe Turizmit: Punëtorët të mos nënshkruajnë ndërprerjen e kontratave

Gastronomia nga kjo e mërkurë është totalisht e mbyllur me vendimin e fundit të qeverisë, ndërsa me këtë rreth 30 mijë persona që punojnë në këtë sektor do të mbeten pa të ardhurat mujore. Sindikata e Punëtorëve të Hotelerisë dhe Turizmit pranë Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë së Veriut në një reagim me shkrim iu bëri thirrje punëtorëve të mos nënshkruajnë çfarëdo dokumenti blanko për anulimin e kontratave të tyre të punës.

Marketing

“Në opinion u plasuan informacione se shumica e objekteve gastronomike i kanë ç’lajmëruar punëtorët, ndaj të cilit reagojmë fuqishëm. Punëdhënësit nga sektori i hotelerisë të mos manipulojnë punëtorët nga ky sektor dhe ne i udhëzojmë punëtorët të mos nënshkruajnë me detyrim ose të kërcënojnë ndonjë dokument të zbrazët që punëdhënësit do të abuzojnë për të anuluar kontratat e tyre të punës.”,- theksojnë nga Sindikata e Punëtorëve të Hotelerisë dhe Turizmit.

Nga Sindikata e Punëtorëve të Hotelerisë dhe Turizmit theksojnë se është në kundërshtim me ligjin nëse iu ndërpritet kontrata këtyre punonjësve, ndërsa kujtojnë që për raste të tilla, në bashkëpunim me Lidhjen e Sindikatave paralajmëron kallëzime deri tek shërbimet kompetente të inspektimit dhe kallëzime penale me qëllim të parandalimit të abuzimeve të tilla.

“I inkurajojmë punëtorët, që të gjitha kundërvajtjet e të drejtave të tyre të punës t’i denoncojnë tek Sindikata e Punëtorëve të Hotelerisë dhe Turizmit dhe tek Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë në mënyrë që të mund të ndërhyjmë në kohën e duhur dhe t’i ruajmë vendet e tyre të punës.”,- apelojnë nga Sindikata.

Objektet gastronomike prej sot janë të mbyllura për vizitorë, të njëjtit mund të realizojnë porosi dhe të shërbejnë në sportel. Nga Qeveria kanë bërë të ditur se do të ndihmojnë financiarisht sektorët e dëmtuar gjatë kësaj mbylljeje, por pa precizuar mënyrën dhe shumën e cila do të dedikohet për këto biznese. E derisa ekonomia po mbyllet për herë të dytë bizneset akoma janë në pritje të pakos së pestë e cila është bllokuar në Kuvend e që parasheh ndihmë për bizneset për pagesën e detyrimeve ndaj punëtorëve për muajt shkurt dhe mars. Për shkak të situatës, kanë njoftuar se në pushim kolektiv shkojnë industria e tekstilit, që përfshin rreth 6 mijë punëtorë.