Komuna e Vushtrrisë në fillim të muajit dhjetor të vitit 2020 ka ndarë 251.150 euro nga pako ekonomike si ndihmë për sektorin e mikro-biznesit.
Nga kjo ndihmë është paraparë të ndihmohen 513 biznese në vlerë prej 300 euro deri në 1 500 euro.
Mirëpo, disa prej bizneseve që figurojnë si përfitues të kësaj ndihme ende nuk iu janë procesuar paratë në xhirollogari.
Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri për IndeksOnline ka bërë të ditur se rreth 80 biznese kanë dhënë numrin personal të xhirollogarisë e jo atë të biznesit.
Për këtë, sipas tij ka pasur vonesa në procesimin e mjeteve.
“Një pjesë e këtyre bizneseve kur kanë sjell llogaritë bankare kanë sjellë llogaritë personale dhe nuk iu janë kryer pagesat mandej është përfunduar buxheti i vitit 2021 dhe tash jemi në proces të alokimit, arsyeja pse janë vonuar, tash e dy javë kanë filluar pagesat, por arsyeja e vetme është se s’kanë pasur llogari të biznesit pasi ligji nuk e lejon që pagesat të kryhen në llogari personale. Përndryshe, tash e dy javë janë duke u paguar dhe s’kanë mbetur shumë biznese pa iu kryer pagesa, janë 513 biznese që kanë përfituar”, ka thënë Tahiri.
Kreu i komunës thotë se mbi 400 bizneseve iu është kryer pagesa, afro 80 biznese kanë pasur këto probleme.
“Ne i kemi kontaktuar të gjitha këto biznese, e kanë të qartë se çfarë duhet bërë dhe kanë filluar t’iu dalin mjetet, tha ai.