Kuvendi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka miratuar disa vendime për miratimin paraprak për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së palujtshme të Komunës dhe ka shqyrtuar raportin Financiar për vitin 2020, si dhe raportin nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sporti.
Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi Fatmir Gashi, e ku ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtorët e drejtorive të Komunës.
Në fillim të mbledhjes së sotme, me propozim të këshilltarit nga radhët e PDK-së, Rafet Llapshtica, Kuvendi vendosi që për shkak të masave të reja anti-Covid ta shtyjë për njërën nga mbledhjet e ardhshme pikën e rendit të ditës Propozim vendimi për vënie në diskutim publik të propozim Rregullores për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane në territorin e Komunës së Podujevës.
Në mbledhjen e sotme drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, ka prezantuar raportin financiar të Komunës për vitin 2020.
Raporti financiar përfshin informata për shumën e buxhetit fillestar të aprovuar për vitin 2020, shpenzimet kapitale, shpenzimet për mallra e shërbime, shpenzimet për subvencione, të hyrat vetanke dhe suficitin e buxhetit.
Në bazë të raportit të prezantuar shpenzimet buxhetore gjatë vitit 2020 kanë arritur në 24,798,321 euro, apo 90.50% e buxhetit të alokuar, që ka qenë 27,400,385 euro.
Për paga dhe mëditje janë shpenzuar 12,183,282 euro ose 99,18 % e shumës së buxhetit të alokuar për këtë kategori ekonomike, që ishte 12,283.258 euro. Për mallra dhe shërbime gjatë vitit 2020 janë shpenzuar 2,228,095 euro, apo 69,28% e shumës së alokuar, prej 3,215,962 euro. Shpenzimet në komunali 326.745 euro, ose 86.65% nga buxheti i alokuar për këtë kategori ekonomike, që ishte 377,043 euro. Për subvencione dhe transfere janë shpenzuar 1,122,703 euro, ose 89,94% e buxhetit të alokuar, që ishte 1,248,192 euro. Ndërsa, për investime kapitale gjatë vitit 2020 janë shpenzuar 8,937,496 euro, ose shprehur në përqindje 86,97% të alokuar për këtë kategori ekonomike, që ishin 10,275,930 euro.
“Nga buxheti i vitit 2020 kanë mbetur të pa shpenzuara 1,977,607 euro nga granti qeveritar, kurse nga të hyrat vetanake kanë mbetur të pashpenzuara 669,155 euro, të cilat barten në vitin 2021. Nga donatorët e brendshëm kanë mbetur të pashpenzuar 92,355 euro”, tha drejtori Osmani, i cili tha se plani vjetor i të hyrave vetanake ka qenë 1,416,561 euro, prej tyre janë realizuar 1,119,337 euro, ose 79% e mjeteve të planifikuara.
Drejtoresha e Drejtorisë së Pronës, Kadastrit dhe Gjeodezisë, Bahrije Mehmeti, prezantoi propozim vendimet për miratim paraprak për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të disa pronave komunale.
Lidhur me këto propozime, Kuvendi miratoi:
-Vendimin për miratim paraprak për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme të Komunës në fshatin Batllavë si dhe Vendimin për formimin e komisionit vlerësues lidhur me këtë pronë.
– Vendimin për miratim paraprak për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme të Komunës në fshatin Lupç i Poshtëm si dhe vendimin për formimin e komisionit vlerësues lidhur me këtë pronë.
-Vendimin për miratim paraprak për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme. të Komunës në fshatin Lupç i Poshtëm si dhe vendimin për formimin e komisionit vlerësues lidhur me këtë pronë.
-Vendimin për miratim paraprak për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme të Komunës – Lokal në qytetin e Podujevës si dhe vendimin për formimin e komisionit vlerësues lidhur me këtë pronë.
– Vendimin për miratim paraprak për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme të Komunës – Lokal në qytetin e Podujevës si dhe vendimin për formimin e komisionit vlerësues lidhur me këtë pronë.
Gjithashtu u miratua vendimi për formimin e Komisionit për shqyrtimin e ankesave në procedurën e dhënies në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës.
Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Elhame Kutllovci prezantoi informatë për projektet dhe aktivitetet e realizuara deri tani nga kjo drejtori.
Drejtoresha Kullovci përmendi funksionalizimin e rrymës dhe internetit për Bibliotekën e Qytetit, zgjatjen e orarit të punës së bibliotekës, pasurimin me tituj të ndryshëm nga MKRS dhe nga autorë të ndryshëm që dhuruan tituj dhe ekzemplarë për këtë bibliotekë. Formimin e Këshillit të ri Drejtues të Teatrit, përzgjedhjen e drejtorit të Teatrit “Avdush Hasani” , zhvendosjen e Arkivit Historik në ish objektin e Komunës së Podujevës, inicimin e procedurave për rinovim të Palestrës Sportive “Hakif Zejnullahu”, hapjen e thirrjes për grante dhe punë të tjera të cilat u realizuan në kuadër të kësaj drejtorie.