Nënkryetari i SBASHK-ut, Lutfi Mani, ka deklaruar se ka hezitim nga ana e mësimdhënësve për ta marr vaksinën kineze.
Ai tha se janë rreth 27 mijë punëtorë në sektor të arsimit që janë në listë të grupit të tretë për t’u vaksinuar.
“Për momentin nuk ka disponim nga ana e mësimdhënësve për ta marrë vaksinën kineze. Marr parasysh edhe faktin që institucionet tona kanë dal dhe kanë thënë se nuk marrim vaksina të atyre shteteve që s’na kanë njohur”.
Megjithatë, Mani u shpreh se si SBASHK janë të interesuar që mësimdhënësit të vaksinohen sepse, siç tha, ata janë çdo ditë në kontakt dhe është mundësia e marrjes dhe e shpërndarjes së virusit.
Ai po ashtu deklaroi se nuk është bërë mjaftueshëm për përgatitjen e popullatës rreth vaksinimit, duke thënë se shtresa e thjeshtë nuk e kupton medicinën dhe se ai është mësuar me nxënës dhe nuk merr vesh nga fusha e mjekësisë.
“Nuk është bërë fushatë e mirë, se ndoshta do të vijë momenti kur edhe do na duhet të marrim edhe vaksinë ruse e kineze, se në mes të sëmundjes dikah duhet të orientohemi”, u shpreh Mani, duke shtuar se nga Serbia nuk do të pranonin asnjë lloj vaksine.