Kryetari i VV-së në Shqipëri, Boiken Abazi, ka lëshuar kritika të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, për të cilin thotë se dha urdhër politik për arrestimin e 33 qytetarëve, mes tyre aktivistë të VV-së.
Abazi e quan Ramën si një politikan frikacak, i cili po përdorë policinë e shtetit për të këcënuar aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ata protestuan kundër një termocentrali që do t’ua ndalonte ujin e pijshëm qytetarëve në atë zonë.
Postimi i plotë:
33 qytetarë, mes tyre edhe shumë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, po mbahen tani të arrestuar në Lezhë dhe Rrëshen me urdhër politik nga Edi Rama, sepse kanë mbrojtur sot bashkë me banorët e Mirditës lumin Thirrë nga shkatërrimi përmes HEC-eve. Rama, një politikan frikacak, po përdor policinë e shtetit për të kërcënuar aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Lezhë dhe qytetarët. Anës lumenjve, nga Vjosa në Ishëm, Thirrë e Valbonë po farkëtohet një vetëdije e rezistencë qytetare që refuzon nënshtrimin. Kjo ia shton frikën regjimit që pushtetin nuk e synon me votë, por me dhunë. Mirëpo dhuna e regjimit as nuk na tremb, as nuk na zmbraps. Liri për të gjithë qytetarët e arrestuar!