I ftuar në “Ftesë në 5” dje, për një intervistë me Skype, ishte Nick Nikic, një avokat shqiptar i lindur në Nju-Jork, i cili ka një pasion të madh për kuzhinën dhe sidomos për atë tradicionale shqiptare. Përmes një faqeje në Instagram, ai e ndan pasionin e tij me publikun, duke postuar vazhdimisht foto të gatimeve të ndryshme.
Gjatë intervistës ai tha se pjata e preferuar tradicionale për të ishte grosha, duke treguar edhe se përbërësi “sekret” i recetës së tij është dashuria. I pyetur se për kë gatuan, Nick përmendi veten dhe bashkëshortin e tij dhe pranoi se është homoseksual e lumurisht i martuar. Madje, dasma ka qenë një festë e vërtetë me çifteli e tupanë.
“Kemi 8 vite të lumtur bashkë. Pati propozim dhe dasmë me çifteli e tupanë”, -tha Nick.
Ai zbuloi detaje rreth historisë së dashurisë më Matt dhe kujtoi se një natë miku i tij prej vitesh, Mat, i kishte shprehur ndjenjat. Nick ishte stepur nga kjo gjë, pasi deri në atë kohë nuk e kishte pranuar brenda vetes orientimin seksual. Mes të tjerash avokati tha se ka pasur të dashura më parë, por pa asnjë lloj tërheqeje seksuale. Ai rrëfeu se pas një predikimi në kishë, kuptoi se çfarë donte realisht dhe lumturia filloi kur u tha “Po” ndjenjave për Mat.
Nick tha se prej fillimit kishte pasur mbështetjen pa kushte të familjes së tij dhe për të plotësuar një dëshirë të madhe të çiftit, por edhe të gjyshes së Nick, ai dhe Mat planifikonin ta zgjeronin familjen me një fëmijë.