Shefi i policisë: Vrasja e afrikano-amerikanit në Mineapolis duket aksidentale

Vrasja nga policia e një 20 vjeçari afrikano-amerikan në Mineapolis, duket se ishte një aksident që ndodhi sepse një police përdori armën e zjarrit në vend të pajisjes me elektroshok gjatë një përleshjeje, tha të hënën shefi i policisë së qytetit.

Të shtënat e së dielës çuan në vdekjen e afrikano-amerikanit Daunte Wright gjatë një kontrolli makine në Qendrën Bruklin të Minesotës, jo shumë larg nga vendi ku po zhvillohej gjyqi për ish-policin e bardhë Derek Chauvin, i akuzuar për vrasjen e afrikano-amerikanit George Floyd.

Marketing

Pamjet e shfaqura gjatë një konference shtypi të hënën treguan një konfrontim mes të ndjerit Wright dhe oficeres. Daunte Wright pastaj u kthye në makinë ndërsa oficerja dëgjohej duke bërtitur dhe paralajmëruar se do të përdorte pajisjen me elektroshok.

“Më duket se, bazuar në atë që pashë, në reagimin dhe shqetësimin e shprehur menjëherë nga oficerët, ishte një e shtënë aksidentale që rezultoi nëvdekjen tragjike të zotit Wright”, tha shefi i Policisë së Qendrës Brooklyn, Tim Gannon.

“Dua të them se zemrat tona po dhembin tani”, tha kryetari i Bashkisë në Bruklin Park, Mike Elliot në konferencë. “Ndjejmë dhimbje. E pranojmë se kjo nuk duhet të ndodhte në një kohë kaq të papërshtatshme”.

“Ne do t’i shkojmë kësaj deri në fund”, tha zoti Elliot. “Do të bëjmë gjithçka që kemi mundësi për t’u siguruar që të vihet në vend drejtësia për Daunte Wright”.

Nëna e zotit Wright, Katie Wright, u tha gazetarëve të dielën se ajo kishte marrë një telefonatë nga djali i saj atë pasdite, i cili i kishte treguar se policia e kishte ndalur pasi kishte freskues ajri të varur në pasqyrë të makinës, që është e jashtëligjshme në Minesota. Ajo tha se dëgjoi policinë duke i kërkuar atij të dilte nga makina.

Në një deklaratë, policia e Qendrës Bruklin tha se oficerët e ndaluan zotin Wright për shkelje të rregullave të trafikut pak para orës 2 pasdite kur edhe kuptuan se ndaj tij kishte një urdhër-arresti. Ndërsa policia provoi ta arrestonte, ai u kthye në makinë. Një oficere, emri i së cilës nuk u publikua, e qëlloi afrikano-amerikanin. Zoti Wright e ngau makinën disa qindra metra, pastaj goditi një makinë tjetër dhe vdiq. Po ashtu një polic u dërgua në spital pas lëndimeve thanë mediet lokale.

Vdekja nxiti protesta në Qendrën Bruklin të dielën mbrëma ndërsa Minneapolisi ndodhet në mes të gjykimit të njërit nga katër oficerët e policisë për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd. Qendra Bruklin është një qytet me një popullësi prej rreth 30 mijë banorësh që ndodhet në kufirin veriperëndimor të Mineapolisit.

Grupe qytetarësh përfshirë edhe familjen dhe miqtë e Daunte Wright, parakaluan me flamujt “Black Lives Matter”, ndërsa në një rrugë ishte shkruar me shkumës shumëngjyrësh: “Drejtësi për Daunte Wright”.

Të dielën vonë policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë një turmë protestuesish që ishin mbledhur para stacionit të policisë./VOA