Të gjithë personave mbi 50-vjeç, punonjësit klinikisht të pambrojtur, ata të shëndetësisë dhe shërbimit social në Mbretërinë e Bashkuar u është ofruar një vaksinë kundër koronavirusit të ri (COVID-19), njoftoi qeveria britanike, transmeton Anadolu Agency (AA).
Afati i synuar për vaksinimin e këtyre grupeve të njerëzve ishte caktuar 15 prilli, kurse qeveria në një deklaratë theksoi se është duke u përgatitur faza e dytë e programit të saj të vaksinimit.
Numri i vaksinave të administruara deri më tani ka arritur në 40 milionë, ndërkaq personave nën 50-vjeç do t’u ofrohet vaksina në ditët në vijim.
“Tani kemi kaluar një tjetër moment historik jashtëzakonisht të rëndësishëm në programin tonë të vaksinave duke ofruar gjilpëra për të gjithë në nëntë grupet më të rrezikshme”, tha Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, në një deklaratë.
“Kjo do të thotë që më shumë se 32 milionë njerëz kanë marrë vaksinat e vlefshme të mbrojtjes të siguruara kundër COVID-19”, tha ai.
Ai theksoi se Mbretëria e Bashkuar “tani do të vazhdojë me plotësimin e dozave të dyta thelbësore dhe përparimin drejt synimit tonë për t’u ofruar të gjithë të rriturve një vaksinë deri në fund të korrikut”.
Vaksinimi për personat nën 50-vjeç do të fillojë së shpejti, bazuar në këshillat e Komitetit të Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI) dhe “kjo këshillë do të hapë rrugën për fazën tjetër të programit të vaksinimit, e cila pritet të fillojë këtë javë”.
Mbi 7 milionë doza të dyta janë administruar deri më tani, me një rekord prej 475.230 doza të shtunën, si dhe “ne mbetemi në rrugën e duhur për të ofruar vaksinën e parë për të gjithë të rriturit deri më 31 korrik”, sipas deklaratës.
Rastet ditore të infeksioneve me koronavirus në Mbretërinë e Bashkuar vazhduan të bien në 3.568 të hënën, kurse 13 persona të tjerë vdiqën nga virusi.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve në të gjithë vendin ka arritur në 127.100.