Duka me lajm të keq: Përpjekjet e FSHF për kthimin e tifozëve janë refuzuar

18:11 | 13 Prill 2021

Marketing

Gjatë ditës së sotme është mbajtur mbledhja e radhës e Komitetit të Stadiumeve dhe Sigurisë në UEFA, ku ka marrë pjesë edhe Presidenti Armando Duka, në cilësinë e nënrktyetarit të këtij Komiteti.

Takimi i sotshëm ishte shumë i rëndësishëm sepse në Komitet u bë një panoramë e plotë e situatës së 12 qyteteve ku do të zhvillohet EURO 2020, për të parë në detaje se në çfarë faze ndodhet organizimi dhe problematikat e vërejtura deri më tani.

Presidenti Duka, njëherësh anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, bëri një referim mbi gjendjen aktuale të aktiviteteve futbollistike në vendin tonë, ku theksoi se futbolli në Shqipëri ka qenë aktiv në të gjitha nivelet përtej pandemisë. Sezonin e shkuar, si pak Federata në Evropë, FSHF arriti të përmbyllë rregullisht ҫdo garë kombëtare si në nivel profesionist ashtu dhe në atë amator.

Duka theksoi se ka pasur një përpjekje të vazhdueshme nga Federata e Futbollit për kthimin e tifozëve në stadium edhe në masën 30%, por këto përpjekje të institucionit të futbollit janë refuzuar nga autoritetet qeveritare.

Një pikë tjetër e rendit të ditës së Komitetit të Stadiumeve dhe Sigurisë ishte puna që po bëhet në shumë vende në lidhje me lejimin e tifozëve në stadiume, masat që janë marrë dhe kapacitetet që ka secili shtet. UEFA nga ana e saj është besimplotë se do të ketë prezencë të ndjeshme të tifozëve në EURO 2020 dhe në fund futbolli do të triumfojë së bashku me lojtarin e 12-të.