Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, gjatë një bisede telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin, ka shprehur shqetësime në lidhje me ndërtimin ushtarak të Rusisë në kufirin ukrainas, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Presidenti shprehu shqetësimet tona në lidhje me ndërtimin e papritur ushtarak rus në Krimenë e pushtuar dhe në kufijtë e Ukrainës, si dhe i bëri thirrje Rusisë të de-përshkallëzojë tensionet”, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Gjatë bisedës, Biden theksoi “angazhimin e palëkundur” të SHBA-së ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
“Biden po ashtu e bëri të qartë se SHBA do të veprojë në mënyrë të vendosur në mbrojtje të interesave të saj kombëtare në përgjigje të veprimeve të Rusisë, të tilla si ndërhyrjet kibernetike dhe ndërhyrjet në zgjedhje”, thuhet më tej.
Biden dhe Putin po ashtu diskutuan një sërë çështjesh rajonale dhe globale, përfshirë synimin e SHBA-së dhe Rusisë për të ndjekur një dialog strategjik të stabilitetit mbi një gamë të kontrollit të armëve.
Biden, tha më tej Shtëpia e Bardhë, po ashtu “riafirmoi qëllimin e tij për të ndërtuar një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme me Rusinë në përputhje me interesat e SHBA-së dhe propozoi një takim në një vend të tretë në muajt e ardhshëm për të diskutuar gamën e plotë të çështjeve me të cilat përballet SHBA dhe Rusia”.
Tensioni në rajon është i lartë pasi SHBA tha se Rusia po grumbullon forcat e saj në kufirin lindor të Ukrainës në një nivel të paparë që nga viti 2014 kur pushtoi gadishullin e Krimesë së Ukrainës dhe e aneksoi atë duke shkelur ligjin ndërkombëtar.