Përfaqësuesi special i presidentit rus Vladimir Putin në Afganistan, Zamir Kabulov tha se plani i SHBA-së për të shtyrë tërheqjen e ushtarëve të saj nga Afganistani do të vështirësojë procesin e paqes në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për agjencinë ruse të lajmeve “Ria”, Kabulov lidhur me planet e SHBA-së për të tërhequr ushtarët e saj në Afganistan para 11 shtatorit, rikujtoi se marrëveshja e paqes mes SHBA-së dhe talebanëve u nënshkrua më 29 shkurt 2020 në kryeqytetin e Katarit, Doha.
“Kjo do të vështirësojë procesin e paqes, sepse kjo është shkelje e hapur e marrëveshjes mes SHBA-së dhe talebanëve”, tha Kabulov.
Ai tërhoqi vëmendjen se talebanët janë kundër hapave në fjalë të SHBA-së. “Kolegët tanë amerikanë duhet t‘ia shpjegojnë këtë situatë talebanëve me të cilët kanë bërë marrëveshjen. Marrëveshjet duhet të zbatohen”, tha Kabulov.
Vendimi i SHBA-së për t‘u tërhequr nga Afganistani
Sipas marrëveshjes që administrata e ish-presidentit Donald Trump nënshkroi me talebanët më 29 shkurt 2020 në kryeqytetin e Katarit, Doha, ushtarët amerikanë që nga 1 maji duhet të tërhiqen plotësisht nga Afganistani në rast se talebanët nuk kryenin sulme ndaj forcave të SHBA-së.
Sipas shifrave zyrtare aktualisht në Afganistan ndodhen 2.500 ushtarë amerikanë.
Një zyrtar i lartë nga administrata e SHBA-së i cili ka kërkuar që emri i tij të mos identifikohet, në një deklaratë dje për gazetarët tha: “Pas një procesi të rreptë rishikimi, presidenti (Joe) Biden vendosi tërheqjen e trupave amerikane në Afganistan dhe më në fund t’i japë fund luftës së SHBA-së në Afganistan. Para 1 majit do të fillojmë procesin e rregullt të tërheqjes dhe planifikojmë të tërheqim të gjithë ushtarët amerikanë në vend përpara përvjetorit të 11 shtatorit”.
Po ashtu zyrtari amerikan vuri në dukje se presidenti amerikan Biden këtë vendim të tij do ta njoftojë sot.