Akuza kundër 11 persona për abuzime me dhënien e pasaportave

Prokuroria themelore publike në Shkup ngirit aktakuzë kundër 11 personave lidhur me aferën e pasaportave të falsifikuara. 10 persona akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve, ndërsa 1 person për nxitje të kryerjes së veprës penale. Prokuroria njofton se persona zyrtarë të punësuar në MPB të nxitur nga i akuzuari Raif Miftari, i cili është i pakapshëm për organet e hetuesisë, pasaportat e falsifikuara pjesëtarëve të nëntokës të vendeve të Ballkanit i ka dhënë në periudhën nga mesi i muajit qershor të vitit 2017 deri në fund të vitit 2020. Megjithatë Ministri i Brendshëm Spasovski pati deklaruar se pasaporta të tilla janë dhënë edhe para viti 2017.

Marketing

VZRT Prokuroria Themelore Publike

“Duke shfrytëzuar pozitën dhe autorizimet zyrtare, ata kanë marrë përfitime materiale duke nxjerrë dokumente të rreme publike me qëllim përdorimin e këtyre dokumenteve si origjinale. Ata kanë përdorur identitetet e personave, qytetarë të RMV-së, të cilët deri më tani nuk kanë kërkuar dhe nuk kanë marrë pasaportë biometrike maqedonase ose që jetojnë që nga lindja jashtë vendit, të cilët nuk kanë hyrë në RMV, por kanë shtetësi maqedonase”.

Të akuzuarit në këtë mënyrë i kanë siguruar pasaporta të falsifikuara 214 personave të huaj dhe një shtetasi maqedonas. Prokuroria njofton se vijon hetimet për përfshirjen edhe të personave të tjerë në dhënien joligjore të pasaportave. Prokurori përgjegjës gjithashtu ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të zbulojë personat e angazhuar në sektorin për dhënie të pasaportave në MPB të cilët kanë pasur për detyrë të mbikëqyrin procesin e dhënies së pasaportave, gjithashtu punonjësit që kanë pasur qasje në të dhënat personale të qytetarëve që nuk kanë aplikuar deri më tani për pasaporta. MPB gjithashtu duhet të zbulojë nëse dhe kur pasaportat e falsifikuara janë shfrytëzuar në kalimet kufitare të vendit dhe jashtë. Prokuroria kërkoi vazhdimin e paraburgimit ndaj 7 personave përfshirë Raif Miftarit i cili është në arrati.

https://alsat.mk/ngrihen-akuza-kunder-11-personave-per-abuzime-me-dhenien-e-pasaportave/