Këto janë ilaçet që mund t’i përdorni kur jeni duke agjëruar

Muaji i shenjtë mysliman i Ramazanit filloi këtë javë dhe, në të gjithë botën, ata që respektojnë besimin islam do të agjërojnë nga lindja në perëndim të diellit. Përgjatë viteve, disa mite dhe keqkuptime kanë ndjekur këtë muaj të shenjtë, ndonëse janë mendime të hapura për interpretim.

Marketing

“Larja e dhëmbëve e prish agjërimin”

Shabbir Hassan, një student ekselence i Shkencave Islame dhe Sheriatit, tha për BBC se ndonjëherë njerëzit që agjërojnë besojnë gabimisht se larja e dhëmbëve e prish agjërimin. “Këshilla më e mirë është që të përdorni një pastë minimale, përdorni diçka të thjeshtë, jo shumë të fortë,” shprehet ai. Mund t’i lani dhëmbët, por duke patur kujdes që të mos e kaloni ujin poshtë.

“Nuk duhet ta gëlltisni pështymën”

Gëlltitja e pështymës është krejtësisht e lejueshme dhe, në fakt, inkurajohet. “Ky mendim i gabuar nuk ka aspak bazë,” thotë Hassan, “gëlltitja e pështymës është e natyrshme. Padyshim që nuk do ta prishë agjërimin”.

“Kapërcimi i pështymës së dikujt tjetër është diçka pak më ndryshe që duhet të shmanget gjatë agjërimit”, thekson ai. “E gjithë çështja e agjërimit është të kontrolloni dëshirat tuaja, të cilat përfshijnë ushqim, pije dhe marrëdhënie intime.”

“Bëhet fjalë vetëm për ushqim dhe pije”

Të ngrënët ose të pirët nuk janë aktivitetet e vetme që ndalohen kur agjëron. “Agjërimi shpërblehet më pak nëse komunikoni keq dhe shani të tjerët,” thotë ai.

“Të hani ose pini aksidentalisht prish agjërimin”

Nëse harroni vërtet se jeni duke agjëruar dhe hani diçka, agjërimi konsiderohet ende i vlefshëm për sa kohë ndaloni në momentin që e kuptoni. Sidoqoftë, nëse konsumoni diçka në rrethana që mund të ishin shmangur, atëherë agjërimi është prishur.

“Nëse jeni duke marrë abdes gjatë agjërimit, në të vërtetë ju rekomandohet të shmangni gargarën. Thjesht shpëlani gojën me ujë dhe pështyjeni menjëherë,” shpjegon ai.

“Nuk mund të merrni ilaçe”

Këshilli Mysliman i Britanisë (MCB) lëshoi një udhëzim të përbashkët me Shoqatën Ndërkombëtare të Glaukomës duke u kërkuar njerëzve që të vazhdojnë të përdorin ilaçe të caktuara, të tilla si pikat e syve. Udhëzimi përshkruan se pikat e syve, pikat e veshit, injeksionet dhe infuzionet e uretrës janë ndër ilaçet që nuk prishin agjërimin.

Megjithatë, gëlltitja e ilaçeve do të zhvleftësonte agjërimin. Hassan thotë: “Së pari, nëse keni një gjendje mjekësore, gjëja e parë që duhet të pyesni është, a duhet të agjëroj?”

“Duhet të agjëroni me çdo kusht”

Në Islam, agjërimi konsiderohet i detyrueshëm vetëm për ata që janë të aftë nga ana mjekësore dhe kanë arritur një moshë pjekurie. Kjo përjashton fëmijët e vegjël, ata që janë të sëmurë (fizikisht ose mendërisht), të dobët, janë duke udhëtuar, gratë shtatzënë ose në gjidhënie, sipas MCB.

“Nëse është një sëmundje afatshkurtër nga e cila e dinë që do shërohen, njerëzit do të jenë në gjendje ta kryejnë agjërimin në ditët e tjera”, thotë Hassan. “Nëse është një gjendje afatgjatë dhe ata nuk mund ta mbajnë agjërimin, mund të kryejnë fidyah – një donacion i vogël që paguhet për të ushqyer një familje të varfër.”