Gjermania ka regjistruar shifrën më të lartë ditore në rastet e koronavirusit të ri (COVID-19) që nga fillimi i muajit janar, pasi një lloj më infektues i Mbretërisë së Bashkuar është kthyer në llojin më dominues në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Instituti Robert Koch së fundmi konfirmoi 29.426 raste të reja të koronavirusit, nga 21.693 të raportuara gjatë ditës së djeshme. Instituti po ashtu raportoi 293 viktima të tjera nga virusi.
Shifrat e fundit shënuan rritjen më të lartë që nga 8 janari, kur 31.849 persona rezultuan pozitiv ndaj virusit.
Lloji më ngjitës i virusit të Mbretërisë së Bashkuar (B.1.1.7) është bërë lloji mbizotërues në vend, duke përbërë pothuajse 85 për qind të rasteve të reja, krahasuar me rreth 7 për qind të rasteve dy muaj më parë.
Dr. Lothar Wieler, kreu i Institutit Robert Koch, ka paralajmëruar se vala e tretë e pandemisë ka sjellë spitalet afër kufijve të tyre.
“Ne tashmë mund të themi se për disa ditë nuk do të ketë më shtretër të lirë në disa nga njësitë e kujdesit intensiv”, tha Wieler në një konferencë për media në Berlin.
Sipas shoqatës DIVI për mjekësinë e urgjencës, aktualisht 4.680 pacientë të prekur nga COVID-19 po marrin trajtim në njësitë e kujdesit intensiv, 2.653 prej të cilëve në ventilator mekanik.
Qeveria e koalicionit të kancelares Angela Merkel po planifikon këtë muaj të vendosë masa më të rrepta bllokimi për të mbajtur nën kontroll valën e tretë të koronavirusit.
Gjermania aktualisht renditet në vendin e pestë për sa i përket numrit të infeksioneve në Evropën Perëndimore, pas Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë dhe Spanjës.
Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me koronavirus në Gjermani ka shkuar në pothuajse 3,1 milionë, me të paktën 79.381 viktima.