Mbi 360 mijë viktima nga Covid 19 shënon sot Brazili, një prej vendeve më të goditura prej pandemisë.
Situata në shtetin amerikano-jugor sa vjen e përkeqësohet. “Sistemi shëndetësor është në prag kolapsi. Mungojnë sedativët, pacientët na luten të mos i lëmë të vdesin”, rrëfen një infermiere në Rio de Janiero.
Mangësitë në furnizimin me sedativë po kthehen në një sfidë të vërtetë për mjekët që janë në frontin e parë të luftës me sëmundjen. Infermierja, e cila punon në spitalin Albert Schweitzer, thotë se disa pacientë janë intubuar pa qetësues, me duart të lidhura pas shtratit.
“Ventilimi mekanik pa qetësues, është një torturë e vërtete për të sëmurët”, rrefeu me dhimbje mjeku i repartit të terapisë intensive, Aureo do Carmo Filho. Një infermiere që preferoi të mos identifikohej, e cila punon në një tjetër spital, Sao José, pohoi se 125 paciente me Covid, kanë ndërruar jetë për shkak të mungesës së sedativëve. “ Nuk kemi ilaçe; ne punonjësit shëndetësorë asistojmë të dëshpëruar, qajmë sepse nuk bëjmë dot asgjë. Nuk kemi as shiringa të mjaftueshme”, rrëfen ajo. Vetëm gjate 24 oreve te fundit, në Brazil janë shënuar gati 3.500 vdekje nga koronavirusi, i cili po përhapet pa fre në të gjithë territorin e vendit, pavarësisht masave kufizuese.